Mbrojtësi shkodran Abdurrahman Fangaj ishte njëri ndër titullarët e padiskutueshëm të formacionit të Egnatias në kampionatin që po lëmë pas. Anësori i djathtë ndihet mirë, teksa tregon se Egnatia arriti një sukses të bukur, duke siguruar bashkë me vendin e tretë në kampionatin e sapombyllur, edhe pjesëmarrjen në Conference League dhe Kupën e Shqipërisë.

Fangaj thotë se Europa erdhi natyrshëm, me lojëra dhe rezultate bindëse, teksa fitimi i Kupës ishte padyshim “qershia mbi tortë” për Egnatian. 26-vjeçari, në intervistën e dhënë mbrëmjen e djeshme posaçërisht për “Shkodra Sport”, nuk ngurron të flasë për atë që po kalon dhe po përjeton në Rrogozhinë.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Fangaj u shpreh se është shumë i kënaqur për arritjet e këtij sezoni me Egnatian, ndërsa theksoi faktin se te ky klub ka pasur mbështetje maksimale nga i gjithë stafi dhe drejtuesit, ndryshe nga periudha që ai ishte në Shkodër. Më poshtë, mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Fangaj, triumfuat duke fituar Kupën me Egnatian, sa i kënaqur për një gjë të tillë?

Padyshim që, jam shumë i kënaqur, pasi është historike për klubin që arrin ta fitojë për herë të parë trofeun e Kupës. Këtë finale ndaj Tiranës e përgatitëm me qetësinë e duhur dhe gjithsecili nga ne futbollistët apo edhe tërë drejtuesit, ishim të vetëdijshëm se Egnatia e kishte potencialin e duhur për ta fituar Kupën dhe për ta sjellë trofeun për herë të parë në Rrogozhinë, gjë të cilën e bëmë realitet.

-Mendoni se potenciali që kishit si ekip, ishte faktori kryesor që çoi Egnatian tek suksesi këtë sezon?

Mendoj që forca e grupit ka qenë çelësi i gjithë këtij sezoni që arritëm ta mbyllnim në mënyrën më të mirë të mundshme. Megjithatë, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, ne kemi treguar se kemi funksionuar në bllok, si një skuadër që ka disiplinë të lartë bashkëpunimi dhe harmonie në fushën e lojës.

-Edhe tifozët i kënaqët, pasi ishin shumë të etur për një trofe, sa të rëndësishëm kanë qenë ata në këtë sukses?

Tifozët kanë qenë mbështetje e madhe për ne gjatë gjithë sezonit dhe jam i lumtur që arritëm të sjellim një trofe. I falënderojmë për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë gjatë gjithë këtij sezoni.

-Egnatia shënoi të parën pjesëmarrje në Conference League dhe Kupën e Shqipërisë për herë të parë, si e vlerësoni një diçka të tillë?

Arritjet flasin vetë, por ky ekip është krijuar për të arritur gjëra të mëdha. Kur përmbushen objektivat që janë vendosur nga fillimi i sezonit padiskutim që e vlerësojmë shumë mbylljen dinjitoze që i bëmë kampionatit. Mendoj se kjo që ndodhi me Egnatian në 36-javët e sapopërfunduara, është pikënisje për arritje të tjera më të mëdha të skuadrës sonë.

-Fangaj, ju u aktivizuat në 33-ndeshje, me një minutazh prej 2789-minutash, jeni i kënaqur?

Pas dy sezoneve jo të mira në aspektin personal për shkak edhe të dëmtimeve të shumta, arrita që falë minutazhit, të kap formën time më të mirë. Realisht, duke qenë se vija nga një periudhë e gjatë pa luajtur, jam i kënaqur për sa i përket minutazhit dhe kontributeve konkrete që jam përpjekur të jap për ekipin.

-E fundit për ta mbyllur Fangaj, çfarë ndryshimi ka pasur për ju personalisht nga Shkodra në Rrogozhinë dhe a do të vijoni të jeni pjesë e këtij ekipi?

Ndryshimi është sepse te Egnatia kam mbështetjen maksimale, si nga stafi teknik, me në krye trajnerin Edlir Tetova dhe drejtuesit e klubit. Kjo më bën që të ndihem i vlerësuar dhe bashkëpunimi me Egnatian do të vijojë edhe për sezonin e ri.
Maringlen ZHIVANI