Saimir Kaloshi është njëri nga trajnerët që punon me shumë pasion te Atletik Klub me ekipet e moshave dhe vit pas viti, po merr edhe frytet e punës së tij. Në fakt, një gjë e tillë jo thjesht me disa trofe që ka fituar, por më së shumti me futbollistët e talentuar që kanë dalë nga duart e tij në këto vite dhe që sot po luajnë me ekipe të njohura.

Këtë sezon që po lëmë pas, nën drejtimin e Atletik Klub U-15, e mbylli kampionatin në vendin e tetë në kuotën e 35-pikëve, në 24-ndeshje të luajtura, duke arritur në këtë mënyrë synimet që ky ekip kishte që nga fillimi i sezonit. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, trajneri i Atletik Klub U-15 foli rreth asaj se çfarë ka bërë me ekipin e tij në kampionatin e sapombyllur, por padyshim edhe për objektivat për të ardhmen.

Kaloshi u shpreh se është i kënaqur nga ky sezon që po lëmë pas, ndërsa theksoi se kampionati i Kategorisë së Parë në këtë grupmoshë ka pasur rivalitet të madh. Megjithatë për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Kaloshi, i kënaqur nga ky sezon, e prisnit një sezon të tillë?

Të them të drejtën jam i kënaqur, sepse ne e kemi marrë pak vonë njoftimin se do të marrim pjesë në Kategorinë e Parë dhe të bësh dy ekipe U-14 dhe U-15 në momentet e fundit, është pak e vështirë, por të renditesh në mes të tabelës si vit i parë që ishte, them se është pozitive.

-Pati konkurrencë dhe rivalitet në këtë kampionat, duke marrë në konsideratë faktin se ishit për herë të parë pjesëmarrës?

Po, rivalitet ka pasur, sepse deri në javët e fundit ekipet kanë qenë të ngjeshura me një diferencë të vogël pikësh në renditje. Në fakt, është një kampionat shumë i fortë dhe i bukur, ku ka shumë ekipe të mira. Unë besoj se ka shumë pak diferencë me Kategorinë Superiore.

-Cilat ishin pikat e forta të ekipit tuaj këtë sezon?

Pika e fortë e ekipit është grupi që stërviten me shumë dëshirë dhe përkushtim gjithë vitin. Për këtë, dua t’i falënderoj të gjithë djemtë dhe stafin teknik, sepse bëjnë me të vërtetë një punë shumë të mirë.

-Si u prit sezoni juaj me ekipin U-15 nga drejtuesit e Akademisë tuaj?

Besoj se edhe stafi drejtues janë të kënaqur me rezultatin, sepse ka qenë një kampionat që për ne ishte hera e parë dhe nuk e njihnim. Të jesh në vend të tetë ndërmjet 14-ekipeve, patjetër që duhet të jemi të kënaqur.

-Si e shikoni të ardhmen e ekipit tuaj për sezonin tjetër Kaloshi?

Për vitin tjetër besoj se do jemi shumë më mirë se këtë vit. Ne kemi filluar të mendojmë që tani për të zgjedhur grupet e futbollistëve më të mirë, që të jemi ndër ekipet pretendente për t’u ngjitur në Superiore vitin tjetër, jo sa për të marrë pjesë.

-E fundit Kaloshi për ta mbyllur, cilat janë objektivat që keni me këtë ekip dhe elementin cilësor që keni?

Objektivat janë që ne të punojmë sa më shumë me këto mosha që ata të rriten dhe të mësojnë sa më shumë për veten e tyre. Objektivi jonë është që të furnizojmë sa më shumë ekipet e para, sepse besoj që e dini që ekipet e Akademisë Vllaznia kanë në përbërje shumicën e futbollistëve që i marrin tek Akademia jonë. Për këtë, dua të falënderoj të gjithë stafin e trajnerëve që punojnë me përkushtim dhe seriozitet, pa harruar edhe presidentin Elton Bungaja që ka një meritë shumë të madhe.
Maringlen ZHIVANI