Andi Ribaj është një ndër sulmuesit me eksperiencë në futbollin shqiptar dhe këtë sezon ai është pjesë e Flamurtarit. Në pragndeshjen Flamurtari-Vllaznia, që luhet për llogari të Kupës së Shqipërisë, në një prononcim për “Shkodra Sport”, Ribaj pohon se i vlerëson maksimalisht shkodranët, por edhe vlonjatët nga ana tjetër do të japin më të mirën e tyre.

Gjithashtu, ai pohon se Vllaznia është një ekip shumë i mirë dhe që ka treguar një futboll të bukur gjatë ndeshjeve që kuqeblutë kanë zhvilluar.

“Personalisht, e vlerësoj maksimalisht këtë ndeshje, sepse luajmë kundër një nga ekipeve më të mira sot për sot në Shqipëri. Eshtë një ndeshje shumë e forte, sepse Vllaznia që nga kampionati i vjetshëm, ka treguar që është një ekip shumë i mirë.

Shiko, Flamurtari është Flamurtar, nuk mund të shikohet në çfarë kategorie luajmë, sepse në ekip kemi lojtarë shumë të mirë që i kanë dhënë shumë Superiores. Luajnë dy nga ekipet që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar, fusha do tregojë gjithçka. Objektivi është që ne të tregojmë më të mirën në këtë kompeticion.

Edhe vjet dhe sivjet, Vllaznia po tregon një futboll shumë të bukur, këtë vit duhet të bëjë pak më shumë që të jetë në treshen e parë të Superiores, sepse i ka të gjitha mundësitë”,-thotë ai.

Në mbyllje, Ribaj flet edhe për tifozërinë shkodrane, teksa shprehet se ruan një konsideratë të veçantë për këta tifozë.

“Kam respekt maksimal për tifozërinë e Vllaznisë. Thjesht i kam në kujtimet e mia më të mira dhe me këtë rast i përshëndes”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Flamurtarit, Andi Ribaj.
Maringlen Zhivani