Antonio Marku është një ndër futbollistët shkodran që po luan momentalisht në Kosovë. Në fillim të këtij sezoni, mbrojtësi vendosi që për të dytin edicion rradhazi, të vijojë aventurën e tij me ekipin e Vëllaznimit, aty ku ka marrë edhe rolin e kapitenit.

Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, mbrojtësi shkodran ka folur në lidhje me eksperiencën e tij, që ka hasur ai në Kosovë. Mes të tjerash, Marku flet edhe për “dashurinë” e itj të dytë, që është Vllaznia, ekipi i tij i zemrës.

“Mendoj që është një eksperiencë pozitive për karrierën dhe për jetën time. Kur mora ofertën për herë të parë të vija në Kosovë, e vendosa me kënaqësi. Kam njohur shumë miq të mirë, që do mbesin miq pavarësisht sportit.

Në përgjithësi, Kosova më ka surprizuar për mirë, për mënyrën e jetesës dhe për zhvillimin. Mund të them që korrektësia financiare dhe ngrohtësia e rrespekti që jep ambienti i sportit në përgjithësi, janë arsyet kryesore se pse për momentin, vazhdoj karrierën këtu ku jam.

Historia e Vëllaznimit të Gjakovës është tepër e madhe dhe e pasur. Kështu, përvec sukseseve mjafton që të përmend faktin, që Vëllaznimi i Gjakovës, ka qenë i vetmi klub, që ka pasur guximin të mbartë ngjyrat kuq e zi, në kohën e ish-Jugosllavisë.

Ky fakt përveç fakteve tjera tregon për madhështinë dhe autoritetin e Vëllaznimit të Gjakovës, në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare të sportit. Për mua, është nder, privilegj dhe përgjegjësi, të kem shiritin e kapitenit dhe për këtë gjë, falënderoj ato që më kanë besuar këtë detyrë.

Kështu, përveç Dejvi Bilalit dhe Jurgen Gjinit që dihen tashmë, pjesë e rëndësishme e ekipit, është edhe ish-portieri i Vllaznisë, Zamir Vjerdha dhe gjithashtu sulmuesi i disa ekipeve në Shqipëri, Donat Toma. Për mua, është kënaqësi që të kesh në ekip djem dhe lojtarë të tillë. Të gjithë po japim kontributin tonë për ngjyrat e Vëllaznimit”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Marku flet edhe për Vllazninë, teksa sipas tij talentët e rinj shkodran, duhet të marrin më shumë minuta në fushën e lojës dhe me kalimin e kohës, të fitohen si lojtarë bazë.

“Duke pasur parasysh, lidhjen që kam me Shkodrën dhe Vllazninë, të gjitha ndeshjet i kam ndjekur, përveç atyre që janë zhvilluar në një orar me ndeshjet e mia. Gjithashtu, jam edhe në kontakt me shokët, që janë pjesë e Vllaznisë dhe me opinionin sportdashës në Shkodër. Unë mendoj që është e vërtetë, që ka disa gjëra, që mund të bëhen më mirë.

Rregulli i pashkruar i futbollit, është që “jabanxhiu” merret si përforcim dhe jo si lojtar stoli. E vetmja mundësi që diçka e tillë të jetë e drejtë, është kur diferenca mes lojtarit jabanxhi dhe lojtarit shkodran, është e madhe apo mundësia tjetër, është kur mungojnë talentet shkodranë. Talentet shkodranë nuk mungojnë dhe diferenca, nuk është aspak e madhe.

Prandaj, duke e rregulluar këtë pjesë, edhe shpenzimet janë më të vogla dhe kryesorja, talentet shkodranë, që janë pjesë e ekipit si Qarri, Çoba, Paloka, Hoxha, Deda, Smajli dhe Pjeshka, marrin më shumë minuta në fushën e lojës dhe me kalimin e kohës fitohen si lojtarë bazë të ekipit.

Më pëlqen fakti që tifozat janë kritikë dhe normalisht nuk kënaqen me pak. Kjo tregon mentalitetin e madh fitues të tifozëve shkodranë, aq më tepër, duke pasur parasysh historinë e madhe të Vllaznisë së Shkodrës. Megjithatë, e vërteta është që përveç kritikave, duhet të shohim edhe anën e mirë dhe të bukur të medaljes. Ana e mirë dhe e bukur e medaljes, është fakti që Vllaznia tashmë është në vendet e para të renditjes dhe vjet ishte fituese e Kupës.

Unë jam i bindur, që tifozët e shohin ndryshimin dhe e vlerësojnë këtë gjë, por pika e dobët e tifozëve shkodranë, është titulli kampion. Prandaj, ana e mirë dhe e bukur e medaljes, nuk po shijohet aq shumë në Shkodër, sepse uria dhe etja është pikërisht për titullin kampion, që realisht mungon për një emër të madh, si Vllaznia.

Gjithashtu, më pëlqen shumë edhe organizimi i tifozëve shkodranë, të cilët realisht po i japin bukuri kampionatit me përformancën e tyre”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Vëllaznimit në Kosovë, shkodrani Antonio Marku.
Maringlen ZHIVANI