Skënderbeu-Vllaznia ishte ndeshja e javës së 22-të të Superligës. Takimi përfundoi në shifrat 2-2 dhe la të pakënaqur të dy skuadrat. Por një episod bëri bujë mbrëmë ku në minutën e 77-të u ndëshkua me të kuq, Bojan Zogoviç.

Gardiani i Vllaznisë shikoi të kuqin nga Laver Alla, gjë që solli edhe një nervozizëm të jashtëzakonshëm tek malazezi. I kontaktuar nga “Shkodra Sport”, ai ka folur rreth ndëshkimit duke e cilësuar të padrejtë.

Zogoviç në fjalët e tij u shpreh: “Ky është kartoni i parë i kuq në karrierën time. Dhe të them me plot gojën që është i pamerituar. Si një burrë që është në moshën 33-vjeçare do të them vetëm të vërtetën dhe atë që të gjithë e panë dje me sytë e tyre.

Di të them se penalltia nuk ishte aspak. Ndërsa për kartonin e kuq nuk kam se çfarë të komentoj apo shtoj sepse kush kupton dhe njeh futbollin e di mirë që ajo ndërhyrje nuk është një karton i kuq.

Nervozizmi ? Patjetër që do “shpërtheja” pasi nuk ishte e drejtë. Kjo jo vetëm ndaj meje, por ndaj gjithë ekipit që po luftonte fort në një ndeshje të vështirë.

Në një moment ku ne dhamë gjithçka në fushë dhe kthyem edhe rezultatin. Por ne do vijojmë akoma më të fortë, e të luftojmë çdo ndeshje për të dërguar Vllazninë në vendet e para të renditjes”.
Endri ÇINARI