Armando Cungu është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri, kjo falë punës së tij të mirë që ka bërë me ekipet që ka udhëhequr para disa vitesh në Superiore. Aktualisht trajner i Kombëtares U-19, por Cungu, një ndër trajnerët më të spikatur vitet e fundit, nuk harron që të hedhë vështrimin nga Abissnet Superiore dhe në veçanti nga Vllaznia.
Si një njohës i vjetër i futbollit tonë, por në vitet e kaluara edhe në pozicionin e trajnerit, me skuadra të ndryshme, në një intervistë për portalin tonë “Shkodra Sport”, 48-vjeçari ka folur gjatë për klubin e vendlindjes së tij, Vllaznia, teksa ka bërë vlerësimin e tij për shkodranët, duke thënë se kuqeblutë kanë shanse të mëdha për të dalë në Europë, sidomos me anë të Kupës së Shqipërisë.
Në fakt, shumëkush mund të thotë se në periudhën kur Cungu ishte në pankinën e kësaj skuadre, ecuria e shkodranëve ishte e dobët, por ai shprehet se në kohën e tij, Vllaznia kishte një mijë probleme dhe ishte në drejtimin e Bashkisë, ndërsa sot Vllaznia është me një president dhe nuk ka problemet që kishte në atë periudhë me Bashkinë.
Ndeshja e parë gjysëmfinale Partizani-Vllaznia – “Jam i të njëjtit mendim që ishin të gjithë specialistë, tifozë shkodranë dhe jo vetëm. Ndeshja e parë gjysëmfinale e Kupës, Partizani-Vllaznia, ishte një ndeshje e dobët për të dy ekipet, që nuk kishin të bëjnë aspak me emrat dhe atë ç’ka kanë dhënë këto ekipe në futbollin shqiptar. Në të njëjtin nivel, ishin edhe gjyqtarët e takimit, ato në fushë dhe në VAR, duke i anulluar një gol mëse të rregullt Vllaznisë, por vetëm këto gjyqtarë dhe ndonjë i paudhë mund ta shohin ndryshe.”
Penalizimi që po i bëhet Vllaznisë nga ana e gjyqtarëve – “Mendoj se nuk është ndonjë fenomen i ri i padëgjuar për Vllazninë penalizimi që po i bëhet nga ana e gjyqtarëve. Të jem i sinqertë, nuk mendoj se Vllaznia është penalizuar nga gjykimet me përjashtim të 2-3 momenteve, të golit me Partizanit dhe një penalltie me Egnatian në Shkodër, nuk më kujtohet ndonjë problem tjetër kardinal. Kërkoj ndjesë nëse kam harruar ndonjë moment tjetër. Jam dakord që ndikon direkt në ecurinë e një ekipi dhe në investimin e presidentit Xhaferi, sidomos në këtë fazë që ndodhet kampionati.”
Vllaznia në Kupat e Europës – “Patjetër që Vllaznia i ka shanset për të dalë në Europë, sidomos me anë të Kupës së Shqipërisë. Të gjithë kemi pritur më shumë nga Vllaznia e këtij sezoni, duke pasur parasysh shkëputjen përfundimtare nga Bashkia të Vllaznisë dhe me prurjet e shumta të lojtarëve në verë u mendua që duhet të ishte edhe më e fortë se ajo e vjetshmja. Megjithatë ndodhi e kundërta, me lojë ra dhe kishte rezultate jo të mira.”
Vllaznia në periudhën e drejtimit të Cungut – “Ju e dini shumë mirë si ka qenë ajo periudhë, kur unë kam qenë trajner i Vllaznisë. E kam sqaruar disa herë. Së pari, po ju kujtoj se në kohën time mora në janar një Vllazni në vendin e parafundit me një mijë probleme, ku arritëm të shpëtojmë, madje duke shkuar në vendin e gjashtë. Vitin tjetër, u munduam të kishim një Vllazni më të fortë, por nuk kishim forcën dhe mundësinë për të bindur dhe afruar lojtarë cilësorë, për të ndryshuar shumë gjëra.
Mos harroni se ishim me Bashki. Zhvilluam ndeshje të mira dhe rezultate poashtu, duke shkuar në vendin e katërt gjashtë javë pa mbaruar kampionati. Në atë kohë, flitej për Vllazninë në Kupat e Europës. Megjithatë, ndodhi ajo që e dimë të gjithë, por që e harrojmë shpejt, që disa ekipe që ishin poshtë nesh në pikë të hallit u treguan më agresivë se ne, duke korrur fitore në gjitha javët e mbetura, ç’ka nuk kishin marrë kurrë në atë kampionat, ndërsa ne nuk gjenim dot asnjë pikë askund. Duke pasur ndonjë lojtar që nuk tregohej korrekt me Vllazninë, shkuam në javën e fundit me Tiranën, ku ia dolëm gjithë bashkë ekip dhe tifoza, duke e mbyllur në vendin e shtatë.
Sezoni i ri më gjeti me largime të shumta lojtarësh pa blerje dhe pa ekip, me individë që vazhdonin të mos ishin korrekt në fushën e lojës me Vllazninë. U ndjeva i vetëm dhe vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme. Për Vllazninë refuzova ekipet më të rëndësishme të Shqipërisë të asaj kohe. Mos harroni se nuk thuhen të gjtha gjërat, kjo në respekt dhe për të mirën e Vllaznisë. Faleminderit Zotit që, tashmë Vllaznia është me një president siç është Alban Xhaferi dhe nuk ka problemet kardinale, që kishte Vllaznia me Bashkinë.”
Menaxhimi i dobët i skuadrës – “Kur një sezon nuk shkon ashtu siç mendohet apo pritet, e kam thënë gjithmonë dhe do ta them prapë, nuk është problemi kryesor dhe i vetëm trajneri. Në shumë raste, ka edhe persona të tjerë që nuk kanë punuar siç duhet, por që është bërë zakon që t’ia veshim të gjithë përgjegjësitë trajnerit, që merr me vete edhe gjynahet e të tjerëve.”
Vllaznia-Kastrioti, ndeshja e rradhës – “Çdo ndeshje duhet të konsiderohet si finale, pasi të gjithë ekipet janë në garë, dikush për kampion apo për Kupat e Europës, dikush tjetër për të qëndruar në Superiore. Kështu që, e mendoj si ndeshje të vështirë.”
E ardhmja e Vllaznisë – “Për Vllazninë është jetike ta kalojë Partizanin, pra të jetë finaliste. Mendo këtu që edhe Laçi me fitoren kundër Teutës, do arrijnë të dalë në finale, atëherë Vllaznia automatikisht është në Kupat e Europës, në të kundërt i duhet të luftojë në kampionat dhe duke shpresuar ta fitojë Kupën e Shqipërisë. Asnjë vit nuk kanë munguar surprizat në kampionatin shqiptar, mund të ndodhin edhe këtë sezon. Vllazninë duhet ta gjejë të përgatitur çdo surprizë”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, shkodrani Armando Cungu.
Maringlen ZHIVANI