Besëlidhja ka rënë zyrtarisht në Kategorinë e Dytë për sezonin e ardhshëm. Tashmë, natyrisht që pas rënies pritet të nisë puna për rikthimin në Kategorinë e Parë dhe duket se janë projektuar edhe ndryshimet e para.

Në mbyllje të këtij sezoni që po lëmë pas, Bashkia Lezhë dhe familja Noka ia patën besuar ekipin trajnerit Alert Alçani. Megjithatë, duket se për sezonin e ardhshëm, Besëlidhja do të ketë një “timonier” të ri.

Kështu, burime të besueshme pranë klubit lezhjan bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se, Dritan Smajli mund të jetë trajneri i ri i Besëlidhjes. Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe trajneri aktual i Veleçikut, ka lënë shije pozitive te drejtuesit e Besëlidhjes, të cilët e kanë në konsideratë për sezonin e ri futbollistik.

Trajnerit lezhjan i përfundon bashkëpunimi në Koplik me Veleçikun dhe ndoshta, vitin e ardhshëm mund ta shohim në Lezhë. Tashmë, pritet me interes të shihet se çfarë do të ndodhë, teksa gjithçka pritet të zbulohet në fillimet e verës. Kujtojmë këtu se poashtu, Dritan Smajli është një njohje e vjetër e Besëlidhjes, ku ka kontribuar vite më parë edhe si futbollist i këtij klubi.
Maringlen ZHIVANI