Në moshën 24 vjeçare u detyrua të braktiste ëndrrën e tij të madhe: Futbollin. Një vendim i detyruar për shkak të një dëmtimi në gju dhe mjekët nuk mund ta lejonin të vazhdonte më tej.
Ergi Borshi pak ditë më parë dha lajmin e keq për lamtumirën nga fushat e blerta dhe kuptohet që mesazhet e ngushëllimit kanë qenë të shumta sepse kemi të bëjmë me një karrierë të ndërprerë në mes.
Ka filluar të luajë 18 vjeç me Vllazninë dhe madje menjëherë në formacion, më pas ka luajtur edhe me Veleçikun, Tërbunin, Teutën, Kastriotin, Vllazninë B dhe së fundi me Veleçikun por gjithçka u mbyll të premten që shkoi.
Borshi në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” ka shpjeguar momentin e vështirë të marrjes së këtij mendimi por ka folur edhe për karrierën e tij të deritanishme, momentet e lumtura por edhe ato të vështirat.
– Ergi, çfarë ndodhi që vendose të lësh futbollin në këtë moshë?
– Një dëmtim në gju më shqetësonte prej kohësh dhe së fundi doktorët nuk më dhanë siguri për të ardhmen dhe ndoshta rrezikoja edhe të ecja. Kështu që isha i detyruar të merrja këtë vendim, edhe pse pa dëshirë por nuk kisha zgjidhje tjetër.
– Si reagove në momentin kur doktori të tha që nuk mund të luash më futboll?
– Ishte shumë e rëndë, shumë e vështirë ta përceptoja atë që po më thonte, me erdhi si ‘bombe’. Nuk e prisja, isha gjëja e fundit që mund të kisha menduar. Por s’kisha ç’të bëja, ky ishte fati im por që mund t’i ndodhë çdokujt. Duhet me e pranu por je para një fakti të kryer, por tashmë kam filluar të mësohem me këtë gjë.
– 24 vjeç detyrohesh të lësh përgjysëm ëndrrën tëndë të madhe. Besoj se s’të kishte shkuar kurrë në mendje se do të ndodhte kështu apo jo?
– E thashë edhe më lart, ishte gjëja e fundit që kisha menduar e për këtë jam mërzitur shumë, por familja e shoqëria më kanë qëndruar shumë afër dhe më kanë ndihmuar për ta kaluar këtë moment të vështirë.
– U largove nga futbolli i luajtur, por a do të vazhdosh të jesh pranë futbollit?
– Po patjetër që do jem gjithmonë pranë futbollit. Për momentin vetëm si tifoz derisa të mbaroj specializimet për trajner sepse kam ndër mend të nis rrugëtimin tim si trajner pasi të marrë liçensat e duhura.
– Cili ka qenë momenti më i bukur në karrierën tuaj?
– Ngjitja me Vllazninë në Superligë sezonin e kaluar, shpëtimi i Vllaznisë B para dy viteve nga rënia prej kategorisë dhe fitorja me Skënderbeun në Korçë kur kam qenë pjesë e Tërbunit. Këto do të veçoja si momentet më të bukura në karrierën time si futbollist.
– Momenti më i keq gjatë karrierës si futbollist, përveç këtij të dëmtimit?
– Ka qenë humbja ndaj Partizanit në minutën e fundit në Tiranë me rezultatin 0-1 dhe eliminimi me Teutën në gjysmëfinale të Kupës.
– Kundërshtari më i vështirë ndaj të cilit keni luajtur?
– Do të veçoja ish- sulmuesin e Partizanit Ecuban dhe atë të Skënderbeut Latifin.
– Miku më i mirë që ke krijuar nga futbolli?
– Të gjithë pa përjashtim i kam miq. Të tillë kam kudo nëpër Shqipëri të cilët më respektojnë dhe i respektoj shumë. I falenderoj edhe për mbështetjen që më dhanë në këtë periudhë të vështirë që kalova së fundi. Por gjithsesi meqë më kërkoni të përmend emra, po e bëj. Do të veçoja Andi Ribajn, Bruno Ditën, Eri Lamçen dhe Ardit Hilën. Gjithashtu edhe Kalajën, Çinarin, Gurishtën, Krymin, Pjeshkën, pa përjashtim këtë brezin e lojtarëve që kemi qenë bashkë që fëmijë dhe deri tek ekipi i parë.
– Cili është trajneri që vlerësoni më shumë në formimin tuaj si sportist gjatë këtyre viteve?
– Në fakt nuk është një sepse unë dua të veçoj tre prej tyre: Ardian Arrën me të cilin kam punuar tek moshat, e më pas Artan Bushati e Cessare Beggi me të cilët kam punuar tek Vllaznia dhe Teuta.
– Pasioni juaj për futbollin mbeti në mes. Keni një këshillë për futbollistët e rinj?
– Do u them të punojnë fort e të mos dorëzohen se futbolli normal që është i vështirë. Ka uljet e ngritjet e veta, por njëkohësisht u them ta shijojnë njëkohësisht këtë lojë sepse nuk i dihet, sportisti nuk paska të ardhme të sigurtë.
© shkodrasport.com