Para një muaji e gjysëm ka mbushur 18 vjeç, por e ardhmja e tij në futboll duket se do të jetë e mirë. E kemi fjalën për futbollistin e lindur në Kakarriq të Lezhës dhe që është tifoz me Vllazninë, Rrok Toma. Prej 6 vitesh ai po luan me sukses në futbollin italian, madje edhe me Akademinë e Torinos.

Së fundi është grumbulluar me kombëtaren U19 të Shqipërisë dhe kjo e ka lumturuar edhe më shumë atë. Konsiderohet një lojtar me të ardhme dhe ai shpreson shumë që t’i ngjajë liderit të kuqezinjve Armando Broja. Edhe Toma luan në sulm dhe ka aftësi të mira shënuese.

Për të mësuar më shumë se kush është ai, cila ka qenë karriera e deritanishme dhe detaje të tjera që kanë të bëjnë me të ardhmen e tij, ju ftojmë të lexoni këtë intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Shkodra Sport” nga futbollisti Rrok Toma:


– Kush është Rrok Toma?

Kam lindur në Kakarriq të Lezhës dhe deri në moshën 12 vjeçare kam jetuar atje, ndërsa prej atij momenti dhe deri sot jetoj në Itali.


– Kur e ke filluar futbollin dhe me cilët ekipe ke luajtur?

E kam filluar në moshën 7 vjeçare dhe menjëherë jam rregjistruar tek Akademia Brians, pjesë e së cilës kam qenë deri në momentin kur erdha në Itali. Jam stërvitur me trajnerët Gjergj Filipi, Ardit Nika, Kreshnik Ivanaj dhe Aurel Locaj.


– Si shkuat në Itali?

Unë kam vëllanë në Itali dhe pas një turneu që zhvilluan në këtë vend me Akademinë Brians, ai erdhi e më mori dhe që prej atij momenti edhe unë tashmë jetoj në vendin fqinj.


– Cili është ekipi i parë me të cilin jeni rregjistruar në Itali?

Ka qenë ekipi i Comos. Me të kam qëndruar dy vjet por pa arritur dot të luaja sepse nuk kisha dokumenta. Më pas doli ligji se nëse luaja 6 muaj me një ekip diletant, rregullohej puna e federimit. Prandaj shkova tek ekipi “Lombardia Uno” me të cilin luajta një sezon ku shkëlqeva duke shënuar 30 gola në kampionatin U15.


– Më pas kaluat tek Torino?

Gjatë këtij sezoni, bëra disa prova në ekipe të ndryshme si Monza, Bologna, Hellas Verona e Torino dhe përfundova pikërisht tek Torino me të cilën luajta dy vjet. Në vitin e parë luajta në 9 ndeshje dhe shënova 6 gola, ndërsa më pas kampionati u ndërpre për shkak të pandemisë. Në vitin e dytë ndërkohë shënova 4 gola.


– Por nga fillimi i këtij sezoni keni lënë Torinon dhe keni kaluar tek Albinoleffe. Pse bëtë këtë zgjedhje?

Sepse ëndrra e çdo lojtari është të kalojë nga moshat dhe të debutojë me ekipin e të rriturve sa më shpejt. Por tek ekipet e mëdha kjo është e vështirë për t’u arritur dhe unë mendova një zgjidhje tjetër. Albinoleffe më propozoi një projekt që të kaloj nga ekipet e moshave tek ekipi i parë.

Për momentin unë luaj me ekipin U19, por jam thirrur disa herë edhe tek ekipi i parë. Pas pak ditësh besoj se do të kem një takim me drejtuesit e klubit, drejtorin dhe menaxherët e tij me shpresën për të firmosur kontratë profesioniste. Kemi dalë kampion të Italisë sivjet me “Primavera 3” dhe unë kam shënuar 6 gola dhe dhënë 7 asist. Unë shpresoj që të hedh firmë në kontratë.

– Ndërkohë po luani edhe me kombëtaren U19 të Shqipërisë. I lumtur për këtë gjë?

Jam shumë shumë i lumtur dhe për këtë dua të falenderoj trajnerin Armando Cungu dhe stafin e ekipeve kombëtare për besimin që kanë treguar ndaj meje dhe do të mundohem t’ua shpërblej këtë besim.


– Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen, në nivel klubi dhe kombëtaren?

Kuptohet që objektivi është për të arritur sa më lart, si me klubin ashtu edhe me kombëtaren. Jam shumë i përkushtuar për këtë gjë dhe besoj se do ia dal.


– Ka një shembull Rrok Toma që dëshiron ta ndjekë?

Ai që po na entuziasmon dhe na ka bërë të gjithëve për vete këto kohët e fundit, është Armando Broja. Do isha e lumtur të ndjek rrugën e tij.


– Së fundi, e ndiqni kampionatin shqiptar dhe me cilën skuadër bëni tifo?

Padyshim që e ndjek dhe skuadra me të cilën jam dashuruar që në moshë të vogël është Vllaznia. I uroj shumë suksese dhe shpresoj që ta fitojë edhe sivjet Kupën e Shqipërisë.
Intervistoi: Gjergj KOLA