Basketbollisti shkodran Celis Taflaj po bën mirë në Serinë A2 të Italisë dhe kuptohet që me këtë ritëm me të cilin ai
po ngjit shkallët e karrierës, nuk do të jetë e largët dita që do të luajë në Serinë A1 dhe pse jo, edhe në ndonjë kampionat më të fortë të Europës.

I datëlindjes 12 mars 1998, basketbollin e ka nisur që në moshë të vogël, ndërkohë që hapat e karrierës së tij do të fillonte t’i ngjiste nga Ulqini, qytet ku i ati vendosi të spostohej për bizneset e tij. Rregjistrohet tek KB Ulqini,
ndërkohë që në verën e vitit 2016, do të firmoste të parën kontratë profesioniste, pikërisht me “Viola Basket” në
Itali e për të vijuar pastaj edhe me tre ekipe të tjera dhe sot është pjesë e “Le Naturelle Imola Basket”.

I gjatë 2.01 metra dhe luan në rolin e lojtarit anësor dhe nga ana tjetër, tashmë është shndërruar edhe në një lojtar të rëndësishëm të kombëtares shqiptare. Gazeta “Shkodra Sport” ka zhvilluar një intervistë me këtë basketbollist shkodran, i cili është njëkohësisht edhe i biri i Ilir Taflajt, ish- basketbollit të Vllaznisë, biznesmenit tashmë të suksesshëm dhe njëkohësisht edhe anëtarit të kryesisë së FSHB-së.

– Celis përshëndetje. Faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë…

– Faleminderit nga ana juaj për interesin e treguar.

– Si po të shkojnë gjërat gjatë kësaj periudhe?

– Të them të drejtën, si në mbarë Europën edhe këtu në Itali, kampionati është ndërprerë dhe jemi duke qëndruar brenda në pritje të përmirësimit të situatës.

– Ju jeni pjesë e “Le Naturelle Imola Basket”, si ju kanë shkuar gjërat atje këtë sezon?

– Përgjithësisht mirë. Luaj rregullisht dhe po mundohem të bëj më të mirën time. Aktualisht ekipi ndodhet në vendin e
nëntë të renditjes, jemi me pikë të barabarta me vendin e tetë. Objektivi jonë është të qëndrojmë në kategori dhe
pretendimet janë vetëm për të hyrë në zonën e play-off.

– Karriera juaj po rritet gradualisht dhe ekipi aktual mund të jetë një trampolinë për një kalim të mundshëm në kampionatin elitar të basketbollit italian, në A1?

– Pse jo, ky është objektivi im. E kam nisur 18 vjeç në basketbollin italian kur kam firmosur për herë të parë me “Viola Reggio Calabria” me të cilën kam luajtur dy vite, më pas për një vit kam luajtur me Treviglio dhe Cento ndërkohë që sivjet jam pjesë e ekipit Imola. Këto katër sezone në A2 besoj se më kanë pjekur aq sa duhet për të bërë edhe kalimin në A1. Ky është objektivi im për momentin.

Të arrij të luaj sa më parë në elitën e basketbollit italian. Kuptohet që dëshira e çdo basketbollisti në mbarë botën e ka si ëndërr të luajë një ditë në NBA, por unë po mundohem t’i hedh hapat një e nga një. Njëherë hapi i rradhës është për të luajtur në A1 këtu në Itali dhe pastaj pse jo, të luajë në Euroligë ose NBA. Mund të duket diçka e tepërt por jam i vendosur për ta provuar deri në fund.

– Ndërkohë po luani rregullisht me kombëtaren shqiptar. Një tjetër kënaqësi besoj kjo për ju?

– Po është një krenari për mua për të përfaqësuar me dinjitet kombëtaren shqiptare dhe kjo është gjithmonë shumë emocionuese.
Gjergj KOLA