Vllaznia do të luajë ndeshjen e rradhës me Partizanin, për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në Shkodër janë të bindur se do t’i kalojnë të kuqtë dhe do të arrijnë në finale, teksa nëse do arrihet fitimi i këtij trofeu, objektivat e kuqebluve, atëherë do të mund të quhen të përmbushura.
I këtij mendimi është edhe trajneri shkodran, Hysen Dedja, që është një prej atyre që ka dhënë kontribut maksimal te Vllaznia.
Hysen Dedja ka luajtur për 17 vite si lojtar, teksa ka fituar dy tituj kampion dhe tre kupa Shqipërie me këtë klub, ndërsa si trajner, Dedja ka provuar pankinat e tetë skuadrave në periudha të ndryshme, ndërkohë që para dy sezonesh, për disa muaj, ishte në krye të stolit të Vllaznisë.
Dedja ka drejtuar katër herë Vllazninë, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë në vitin 1998.
Në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, në këtë pragndeshje ndaj Partizanit, Hysen Dedja flet ashpër ndaj drejtuesve, duke akuzuar se merkatoja është e dështuar, teksa tha se janë marrë shumë lojtarë të panevojshëm.
Ai bën thirrje që klubi nuk duhet të nënvlerësojë lojtarët e ri që ka tek Akademia, por sa më shpejt që të jetë e mundur, këta lojtarë të aktivizohen me skuadrën.
“Pavarësisht oshilacioneve, që ka pasur Vllaznia këto kohët e fundit, mendoj që takimet e Kupës kanë një mentalitet tjetër. Me grupin që ka Vllaznia, duke krahasuar me grupin që ka Partizani, mendoj që Vllaznia e ka më të freskët fitimin e trofeut të Kupës dhe mendoj që do të jetë Vllaznia e shpallur finaliste.
Kam një bindje të plotë që Vllaznia mund ta kalojë turin. Nuk e them vetë prej dëshirës që kam për shkodranët, por ata kanë lojtarë më me eksperiencë se Partizani, pavarësisht oshilacioneve që kaluan këtë periudhë me rezultate, në lojë dhe me largimin e trajnerit Brdariç, por mendoj që Vllaznia ka lojtarë më tepër me eksperiencë. Duke qenë edhe të freskët, duke qenë se edhe fitimi i vjetshëm i Kupës, është një eksperiencë e mirë.
Tani, nuk është momenti për të folur se çfarë mund të rregullohet, sepse janë momente deçizive, për të arritur një sukses. Tani nuk është momenti them unë. Tani është problemi vetëm të merren rezultatet pozitive, sidomos te Kupa e Shqipërisë.
Vllaznia është shumë e motivuar për Kupën, ndërsa për kampionatin shoh që ata kanë për të ecur, ashtu siç e kanë nisur. Siç kanë qenë deri në këto momente në këtë kampionat, ashtu kanë për të qenë deri në fund, në këtë vend ku janë. Të ruajnë këtë vend ku janë dhe të marrin kupën.
Unë e kam thënë në disa intervista, në disa gazeta dhe në disa televizione, kur më kanë pyetur. Për këtë sezon, unë them se merkatoja është e dështuar. E kam përsëritur disa herë, janë marrë shumë lojtarë. Nuk e kemi atë luks, pavarësisht se është një president që paguan, por nuk jemi ne të paguajmë një lojtar që luan vetëm 5 minuta dhe të nënvlerësohet komplet akademia.
Pra, gjithmonë është shquar Shkodra të nxjerrë talenta, ka besuar te lojtarët e ri, kuptohet me rradhë, por janë nënvlerësuar shumë ekipi i përspektivës, që janë 19-vjeçarët e Vllaznisë ose ata lojtarë që janë të qytetit aty, që të aktivizohen dhe të kemi një bosht të qytetit.
Unë mendoj se janë nënvlerësuar, i kujt është faji ose gabimi, i drejtorit sportiv Djarmati apo ish-trajnerit Brdariç, nuk e di i kujt është, por unë mendoj se të bëjmë 16 blerje dhe 4-5 të jenë rezervë, për mua nuk e kemi atë luks. Mendimi im ky.
Tani, largimi i trajnerit Brdariç, është një fakt i kryer. Nuk kemi se çfarë diskutojmë, sepse u bënë dy-tri javë, që është ndërruar trajneri. Nuk kemi çfarë diskutojmë. Presidenti Xhaferi e ka menduar vetë një gjë të tillë.
Unë kam thënë një mendim më përpara dhe ndoshta ai ka menduar të ndërtojë një skuadër për vitin e ardhshëm, të marrin diçka këtë sezon, siç është Kupa dhe ka menduar që të fusë një frymë tjetër kampionatin e ardhshëm, ndoshta, me lojtarë të ri, të përspektivës”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, shkodrani Hysen Dedja.
Maringlen ZHIVANI