Vllaznia dhe Milos Stojanoviç duket se po diskutojnë detajet e fundit, përpara se të firmosin kontratën, që e lidh 26-vjeçarin me kuqeblutë për sezonet e ardhshme. Burime nga klubi kuqeblu bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se palët kanë arritur një akord paraprak.

Nga ana tjetër, edhe burime pranë Stojanoviç e pohojnë për “Shkodra Sport” se, ai ka arritur një marrëveshje verbale dhe se zyrtarizimi i tij te Vllaznia është vetëm çështje ditësh. Qendërmbrojtësi vjen pas një sezoni të mirë me Kastriotin, por pas përfundimit të kontratës me klubin krutan, u largua nga ky ekip.

Gjithashtu, krahas Vllaznisë, Stojanoviç ishte i preferuar edhe nga skuadrat e Tiranës, Dinamos, Egnatias dhe Laçit, të cilat edhe ato nga ana e tyre kërkuan ta afrojnë mbrojtësin serb në gjirin e ekipeve të tyre. Megjithatë, drejtori sportiv Elvis Plori është ulur në tavolinë me të dhe duket se i ka bërë një ofertë të kënaqshme për të firmosur në sezonin e ri te Vllaznia.

Kështu, marrëveshja po shkon në rrugën e duhur, me Milos Stojanoviç që duket shumë afër Vllaznisë. Stojanoviç ka dy sezone që aktivizohet në futbollin tonë, ku ka qenë pjesë e Bylis dhe në edicionin e fundit pjesë e Kastriotit. Me 34-ndeshje të luajtura në sezonin 2022-2023 me Kastriotin, ka shënuar një gol dhe ka assistuar po një tjetër.
Maringlen ZHIVANI