Lajmi i ditës së sotme në mediat sportive shqiptare padyshim ka qenë ai i firmosjes të sulmueses së Vllaznisë Megi Doçi me skuadrën e njohur turke Gallatasaraj. Kjo e fundit në fakt që prej verës kishte insistuar shumë për marrjen e golashënueses më të mirë në historinë e futbollit shqiptar (autore e 700 golave në kampionat), por vetëm sot është bërë realite.

Doçi ka arritur akordin me presidentin e Vllaznisë Lazer Matija për të nisur këtë eksperiencë të re, të parën për të jashtë Shqipërisë dhe sigurisht që e konsideron një sfidë të cilën do të kërkojë ta fitojë, ashtu siç ka fituar çdo sfidë tjetër në jetën e saj.

Ish- sulmuesja e Vllaznisë në një prononcim ekskluziv për gazetën “Shkodra Sport” ka shpjeguar edhe arsyen pse zgjodhi Gallatasarajn, kur në fakt ofertat nuk i kanë munguar asnjëherë nga klube të ndryshme europiane. Për më shumë lexoni intervistën e Megi Doçit dhënë për gazetën tonë:

– Megi më në fund besoj se u realizua ëndrra juaj. Çfarë do të thotë për ju personalisht kjo kontratë e firmosur sot me një ekip si Gallatasaraj?

Në fakt nuk do ta konsideroja ëndërr një kontratë të tillë sepse ënderr dhe realitet për mua ishte çdo sfidë, ndeshje e çdo arritje që kam patur me Vllazninë. Për mua kjo kontratë do të thotë një sfidë e re dhe mundësi për të treguar veten edhe diku tjeter duke qenë se jam luftuar tej mase në Shqipëri se pse nuk largohem apo s’jam e aftë të tregoj veten diku tjetër.

– Pse zgjodhët Gallatasarajn kur gjithmonë keni patur oferta nga ekipe të ndryshme europiane?

Zgjodha Gallatasarajn sepse është një ekip me shumë emër në futbollin europian. Gjithashtu është një ekip që po investon shumë në futbollin e femrave. Po ashtu edhe u tregua më seriozi në vlerësimin për mua si lojtare dhe sepse objektivat janë të qarta për të dalë kampion. Mendoj se është vit i rëndësishëm për të dalë kampion sepse feston 100 vjetorin e klubit, e po ashtu do të jetë titulli i parë për ta, pra do mbesë në histori. Për të gjitha këto gjëra, i thashë “po” ofertës së Gallatasarajt, kuptohet në mirëkuptim të plotë edhe me presidentin e Vllaznisë Lazer Matija që nuk më pengoi në këtë transferim.


– Cilat janë synimet tuaja me këtë skuadër?

Synimet? Performanca e mirë, të ambjentohem sa më shpejt me lojën e ekipit. Patjetër që duam fitimin e kampionatit dhe prandaj detyra ime është të asistoj dhe të shënoj sa më shumë për të ndihmuar ekipin të arrijë këtë fitore historike për klubin e femrave./SHKODRA-SPORT.COM/