Qeqa Krelani, komentatorja e njohur sportive në Kosovë, është nga ato që ndjekin me shumë interes rregullisht Vllazninë. Ajo zbulon se në kampionatin shqiptar të futbollit është një tifoze e zjarrtë e kuqebluve dhe në veçanti adhuruese e madhe e qytetit të Shkodrës.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Krelani shprehet se ekipi shkodran këto dy kampionatet e fundit ka qenë shumë tërheqës për t’u parë, ndërsa thekson se tani ky ekip ka rënë në një nivel tjetër.

Gjithashtu, Krelani kishte edhe një koment për Liridon Latifin, kosovarin e Vllaznisë. Ajo theksoi se Latifi është lojtar që vlen, por që nuk ka pasur vazhdimësi në formën e tij.

“Suksesi flet vetëm në fund të sezonit. Këto dy kampionate, Vllaznia ishte shumë tërheqëse. Tani është një ekip që ka “emigruar” në një tjetër nivel. Me trajnerin Brdariç, ka pasur një fytyrë ndryshe dhe definitivisht vihet re dora e tij. Lojtarët e Vllaznisë kanë forcë individuale dhe një ekip kundërshtar duhet të jetë shumë i përgatitur për t’i ndalur. Shpesh, kam dëgjuar që flitet për fatin në futboll, por mendoj që fati duhet te provokohet.

E pashë ndeshjen me Partizanin. Aty nuk luante Partizani-Vllaznia, por gjyqtari-Vllaznia. Jam kurioze të di se ç’ka ka fituar saktësisht gjyqtari ose dhoma e VAR me atë vendim. Nuk e kuptoj si anullohet ai gol. Edhe në basketboll, që çdo kontakt është faull, ai rast nuk do të konsiderohej faull.

Sulmuesin Aralica e duartrokas për qetësinë, sepse po të isha unë në ato momente, do ta përfundoja karrierën time me ndonjë reagim në nerva e sipër, por bravo për qetësinë e tij, sepse të dënohesh për kontakt pa faj, është akuzë e rëndë. Përkundrazi, ata dy lojtarët e Partizanit Belica dhe Massanga të paorientuar mirë me trajektoren e topit, kanë krijuar kontakt me Aralicën.

Sidoqoftë, ndeshjen e kthimit mendoj që kush do të jetë më i duruar taktikisht do jetë më pranë kualifikimit. Pra, në ndeshjen e kthimit, futbollistët që janë futbollistë të detyrave apo futbollistë të trajnerit, do të mund ta fitojnë lojën.

Në këto raste, nuk duhet të jesh as optimist, as pesimist, por realist. Unë dua që brenda 90-minutave të vijë kualifikimi për Vllazninë, por di një gjë, që lojtarët gjatë gjithë lojës do të “pengohen” mendërisht nga një alarm në kokë, sepse në ndeshjen e parë u dëmtuan padrejtësisht dhe si mund të kesh qetësi, kur çdo moment mund ta mendosh një tjetër skenar, që mund të kenë përgatitur gjyqtarët me dhomën e VAR?

Pyetja nuk është a e shikoj unë, por a e lejojnë gjyqtarët Vllazninë të kualifikohet në finale, sepse siç duket në Shqipëri fatin e fituesve, akoma e vendosin gjyqtarët.

E pashë nëpërmjet TV ndeshjen Vllaznia-Laçi dhe them se ishte një ndeshje e luftuar nga të dy ekipet, me plot duele të forta në çdo cep të fushës. Jam e mendimit se të dy ekipet kishin frikë të humbisnin dhe ishte një barazim pa ndonjë shkëlqim në fushë. E them këtë, pasi të dy ekipet ishin më të përqendruara për të mos humbur dhe ishin shumë të kujdesshme. Kjo bëri që të mos kishte thuajse aspak lojë ofensive të organizuar, me raste të pakta shumë rastësore para katërkëndorit.

Vetëm në fund, Vllaznia shtyu më me forcë drejt sulmit, por nuk gjeti asnjë hapësirë. Me këtë barazim, them se Vllaznia ka komplikuar edhe renditjen e vet për në zonën e Europës nga kampionati, pasi Partizani e parakaloi në renditje.

Mua më duket se skuadra po vuan edhe presionin e rezultateve dhe kjo bën që të gabojë në finalizim. Megjithatë, them se kjo ndeshje ishte ndeshja me më shumë raste për Vllazninë, që kur në krye të saj është Plori. Më duket se Vllaznia është në agjërim nga që jemi edhe në muaj Ramazani, sepse ka gjashtë ndeshje pa fitore.

Latifi është lojtar që vlen, por e shoh që nuk ka vazhdimësi. Talenti i tij nuk po korrespondon me atë që po shohim në fushë. Kjo vjen si pasojë e presionit. Latifi duhet ta shijojë më shumë lojën dhe të jetë më shumë në sinkronizim me pjesën tjetër të grupit në lojë. Unë e di, që ai më shumë se të gjithë ne, e dëshiron suksesin e tij me Vllazninë”,-mbylli prononcimin e saj, komentatorja e njohur sportive në Kosovë, Qeqa Krelani.
Maringlen ZHIVANI