Erald Çinari është një bga futbollistët shkodranë për të cilin po flitet shumë në këtë periudhë merkatoje. Për sulmuesin që aktivizohet tek ekipi i Samsunspor në Ligën e Parë turke, ka pasur disa oferta dhe interes nga klube të ndryshme. Në Shqipëri më të interesuarit për ta kthyer si të huazuar janë skuadra e Partizanit.
Por tashmë një pistë goxha interesante është shfaqur edhe Shkëndija e Tetovës. Kuqezinjtë kanë shfaqur një interes shumë të madh për mëngjërashin. Ndërsa në Turqi është Memenespor që po këmbëngul për ish-futbollistin e Vllaznisë. Gjithsesi duket se ka shumë zhurmë për asgjë.
Kjo pasi Çinari është grumbulluar për ndeshjen e rradhës të skuadrës së tij në kampionat. Burime pranë “Shkodra Sport” konfirmojnë se 25-vjeçari ka udhëtuar sot me Samsunspor për ndeshjen e së dielës kundër Balikesirspor që do luhet në transfertë. Kjo duket se shuan zërat për një largim të mundshëm nga klubi turk në janar.
Çinari në miqësoren që ekipi i tij zhvilloi kundër Rapid Bukuresht para 3 ditësh ishte protagonist në fitoren 3-1. Ku shënoi një dopietë dhe dhuroi një asist. Duket se performanca e shkodranit i ka bërë të rimendohen edhe njëherë drejtuesit që duket se janë bindur për cilësitë e tij.
Megjithatë merkato e janarit është ende e gjatë dhe nuk dihet se çfarë mund të ndodhë deri në përfundim të saj./SHKODRA-SPORT.COM/