Skuadra koplikase ka arritur të sigurojë një tjetër fitore, e cila ka rezultuar shumë e rëndësishme sot sepse dy skuadrat e tjera me të cilat ishte me pikë të barabarta, kanë humbur. Për rrjedhojë, Veleçiku pas javës së pestë të kampionatit është i vetëm në krye me 12 pikë. Sot ai ka mundur 3-2 ekipin e Vorës ndonëse sipas informacioneve që vijnë nga Kopliku ka qenë një ndeshje e cila është kontestuar edhe për gjykimin e njëanshëm të kryesorit Rigers Pjetrushi nga ana e drejtuesve dhe futbollistëve koplikas. Pavarësisht kësaj ata kanë fituar. Kanë qenë vendasit ata që kanë shënuar të parët në minutën e 22-të me anë të Lamit por pa kaluar tre minuta Colaj ka shënuar autogol duke barazuar shifrat. Megjithatë falë këmbënguljes së futbollistëve koplikas, Banushi ka shënuar edhe golin e dytë në minutën e 37-të dhe pjesa e parë është mbyllur 2-1 për ta. Edhe e dyta nis mirë dhe si rrjedhojë e disa aksioneve të bukura që Veleçiku organizon, do të vijë dhe goli i tretë për të me autor Miculin. Pas këtij goli miqtë nga Vora kanë ngushtuar rezultatin në 3-2 por pa mundur dot të barazojnë. Me këtë fitore, Veleçiku ngjitet në kuotën e 12 pikëve me katër fitore dhe një humbje dhe ndiqet nga Sukthi, Luzi, Domosdova dhe Olimpiku, të gjitha me nga katër pikë.
www.shkodrasport.com