Prej disa vitesh ky sport në Shkodër nuk ka ekzistuar megjithatë falë punës dhe pasionit të Elion Pukës, tashmë edhe në këtë qytet ka taekondo. I rikthyer nga Italia ku jetoi dhe u specializua, ky dashamirës dhe ushtrues i këtij sporti, menjëherë nisi punën për përhapjen e këtij sporti dhe ngritjen e ekipit të Vllaznisë sërish. E ka bërë këtë gjë në mënyrë të shkëlqyer dhe pas një muaji e gjysëm që nga nisja e punës, sot në stërvitje janë plot 24 sportistë që e ushtrojnë këtë art marcial. Stërvitja bëhet çdo ditë në palestrën e shkollës “Ali Laçej” dhe ajo çfarë vërëhet është serioziteti me të cilin punohet. Por trajneri Puka përveç rritjes së numrit të të rinjve që e ushtrojnë këtë sport, ka si qëllim edhe marrjen pjesë në aktivitetet kombëtare që zhvillohen. Një i tillë është pikërisht kampionati kombëtar që do të zhvillohet ditën e dielë në Tiranë. Për momentin, për ta përfaqësuar Vllazninë në këtë kampionat janë të gatshëm vetëm tre sportistë dhe pikërisht Dorad Ulqinaku që do konkurrojë në peshën 74 kg, Besmir Qershia në peshën 80- kg dhe trajneri-sportist Elion Puka në peshën 87 kg. Sipas këtij të fundit, të tre këta pjesmarrës do kërkojnë të zënë vende nderi në kampionat. “Pavarësisht se nuk kemi shumë kohë që kemi filluar punën për ringritjen e këtij sporti në Shkodër, në kampionatin që do zhvillohet të dielën, do kërkojmë që emri i Vllaznisë të përfaqësohet denjësisht. Jemi tre sportistë që do marrim pjesë dhe secili prej nesh do kërkojë vendet e para në peshat respektive”- ka thënë per gazeten online www.shkodrasport.com Puka. I pyetur nëse të rinjtë shkodranë kanë shfaqur interes për këtë sport, trajneri aktual i Vllaznisë është shprehur: “Përderisa për një muaj e gjysëm kemi të rregjistruar 24 sportistë, kjo do të thotë se ata e duan këtë sport. Kemi kërkesa edhe nga të rinj të tjerë për t’u rregjistruar dhe besoj se gjërat kanë për të shkuar edhe më mbarë në të ardhmen”-ka thënë trajneri Elion Puka.
Gjergj KOLA

Ekipi i taekondose se Vllaznise gjate stervitjes se sotme.