Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj ka qenë pjesë e Podkastit FLASIM, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Hyasaj u ndal tek kualifikimi në Europian dhe tek vendi i parë, gjithashtu edhe tek ndryshimi që Kombëtarja ka pësuar pas ardhjes së Silvinjos.Hysaj
Kryeministri Edi Rama: Ok, tani nuk ka rëndësi. Ndeshja ka kaluar. Vendi i parë në tabelë është vulosur. Shqipëria e para në një grup eliminator është diçka që ju e kishit imagjinuar apo?
Elseid Hysaj: Kemi thyer rekorde këtë herë. S’e kemi pritur as ne që do arrinim në një grup si ky, ne vend të parë me kualifikimin po siç dihet, jemi të gjithë këtu mungojnë dhe disa vetë, por kemi treguar që kemi më shumë forcë, për të bërë dhe më shumë, kështu që duhet të jemi të kënaqur e të vetëdijshëm se mund të arrijmë edhe më shumë se sa kaq.
Kryeministri Edi Rama: Ju keni pasur një lloj shansi te veçantë me dy trajnerë siç thonë, se unë nuk i di nga afër, por janë shumë skrupulozë me rritjen e lojtarëve.
Elseid Hysaj: Të dy janë “të sëmurë” besoj për taktikë. Shumë të lodhshëm besoj, por bëra dhe unë 8 vjet që jam veç me 1 trajner që kam dhe ndonjëherë më thonë dhe këta lojtarët e Lazios “po si e duron 8 vjet‘’? I them unë, po duhet te durojmë se u bënë 2-3 vite, po u bënë 3 vite aty dhe se di sa vite do bëjmë, po normal që i besoj që janë një ndër 2-3 trajnerët në Itali që kanë ndryshuar shumë skuadra dhe mentalitetin e lojës. Problemi është që ty të kemi tifoz me skuadër tjetër..
Kryeministri Edi Rama: E, mua më keni pak të vështirë në këtë periudhë, megjithatë për hir të së vërtetës ju ndjek dhe gëzohem shumë. Duke qenë se ndjek një çikë këto ndeshjet e kampionatit italian dhe gëzohem shumë që luani, që vlerësoheni. Dhe ato notat përgjithësisht i merrni të mira dhe aty te “La gazeta dello sport’’, kështu që ne jemi shumë të lumtur me këtë, por në ndërkohë ka gjithmonë një numër gjithmonë e më të madh shqiptarësh të vegjël që po stërviten për ekipet e moshave në Evropë, por në Itali sidomos ishe një numër impresionues, rreth 15 mijë djem shqiptarë ose përgjithësisht të lindur tanimë nga prindër që kanë shkuar më përpara aty ose dhe që kanë ardhur më vonë që janë të regjistruar në lëvizjen futbollistike italiane nëpër skuadra.
Elseid Hysaj: Besoj që është edhe kjo, që janë duke luajtur shumë shqiptarë në seria A dhe në kampionate të tjera dhe njerëzit ose trajnerët, presidentët po besojnë tek ne se dikur me të vërtetë ka qenë shumë e vështirë të futej një shqiptar në Itali se ishte si puna e ekstra komunitetit, pa letra. “Po marrim një brazilian para shqiptari’, se gjithmonë na kanë mbajtur si shtet i vogël. Lojtarë nuk është se kemi nxjerrë shumë, kështu që gjithmonë kemi pasur të njëjtat probleme. Por tani vërtete po dëgjohemi dhe unë po dëgjoj gjithmonë shqiptarë të rinj që dalin. “Po ky nga doli”! Por gjithsesi po rriten me të vërtetë shumë edhe ajo është e bukura. Për këtë na ndihmojnë dhe të rinjtë në Europian, lojtarët e rinj që kanë ardhur.
Kryeministri Edi Rama: Ka penguar kjo e ekstra komunitarëve sepse ngushton hapësirën për qytetarët që janë jashtë BE dhe në fakt kemi bërë një bisedë edhe me qeverinë italianë që ta ndryshojë këtë – federata, kuptohet, – por me ndihmën e qeverisë sepse janë dy a tre vende në Europë që i kanë futur shqiptarët në atë grupin e komunitarëve, kështu që mund të luajnë sa shqiptarë të duan ose që kur blejnë lojtarë shqiptarë nuk iu ngushtohet hapësira e blerjeve për ekstra komunitarët kështu që shpresoj. Franca e ka këtë, Greqia e ka, nuk e di nëse mes Spanjës dhe Gjermanisë, nuk jam i sigurte, por rëndësi ka që kjo është e mundshme dhe shpresoj që ta hapim këtë dhe të kemi më shumë lojtarë shqiptarë që do jenë pastaj në ekipe. Për shembull te Lecja është Ramadani dhe ai djali tjetër dhe për shkak se janë ekstra komunitare nuk luajnë dot të gjithë përnjëherë.
Elseid Hysaj: Me të vërtetë që është problem se nuk lejohet të luajnë më shumë se tre lojtarë. Nuk lejohen ekstra komunitare në fushë.
Kryeministri Edi Rama: Po pra po është braziliani, është uruguajani, është tjetri…
Elseid Hysaj: Shumë problem është. Po gjithë të rinjtë kanë dy pasaporta kështu që ndihmojnë. Unë për shembull kur luaj nuk quhem më ekstra komunitar se kur kam ikur, kam ikur i vogël dhe kam marrë dokumentet italiane kështu që nuk quhem ekstra komunitare. Unë kam 13 vjet në Itali, po dola 6 muaj nga Italia mund të digjen letrat, kthehem ekstra komunitar prapë.
Kryeministri Edi Rama: Italianët nuk e kanë dopio nënshtetësinë.
Elseid Hysaj: Po unë mund ta marr sepse unë e kam edhe gruan italiane, por akoma se kam marr, jam me pasaportë shqiptare
Kryeministri Edi Rama: Tani dua t’iu pyes diçka për këtë sepse kam përshtypjen që atmosfera brenda për brenda Kombëtares është shumë e mirë, si atmosferë flas e grupit, por përtej atmosferës, se ju keni pasur disa trajnerë në Kombëtare, çfarë ka ndryshuar në metodë të stërvitjes, të komunikimit, të mënyrës sesi kërkohet loja sepse realisht, është diçka shumë e këndshme ta shohësh Kombëtaren sepse, e para njëherë, nuk është më ai tmerri “Po afrohet minuta ’80 dhe erdhi goli” për të dalë të gjithë me kokën ulur nga stadiumi. Ishte tmerr ajo, ishte aq tmerr sa unë vendosa në një moment dhe thashë “Unë nuk vij më në stadium se kjo është bërë e tmerrshme”, dhe nuk shkoja. Përgjithësisht nuk kam shkuar, pavarësisht se thoshte Presidenti “Hajde, hajde”. Pastaj, kur kam parë ndeshjen në televizor në Poloni që u rrahëm me një gol atje që mund të ishte evituar, më ka bërë një përshtypje shumë më të mirë dhe thashë “wow, këta luajnë futboll gjithsesi”?
Elseid Hysaj: Ka ndryshuar shumë sepse kam thënë gjithmonë, nëse një skuadër fiton, merr vetëbesim, merr siguri dhe kjo besoj ka qenë një ndër pikat më të forta që kemi pas në këtë Kombëtare. Edhe ardhja e trajnerit të ri është me shumë pozitivitet, të jep siguri në vetvete, të bën të besosh që ti je lojtar i fortë dhe mund të bësh më shumë sesa herët e tjera. Siç e the dhe ti, ti ke ardhur në stadium dhe ke ikur në minutë të ’70, por ne qysh në minutë të parë e kemi pasur këtë kokën duke na plasur sepse nuk po ecte mirë në ato vite që me të vërtetë besoj kanë qenë vitet më të këqija që kemi kaluar ndonjëherë, në Kombëtare dhe ne vetë. Njerëzit nuk na donin, as familjarët tanë nuk na donin në një moment. Ardhja e trajnerit të ri, pozitiviteti që na ka dhënë trajneri dhe vetëbesimi i gjithë lojtarëve, na ka bërë të rritemi dhe ne, pas Polonisë, kur luajtëm atje, të gjithë po flisnim me njëri-tjetrin që me të vërtetë mund t’ia dalim këtë vit sepse e pamë që dimë të luajmë, kemi kualitet, kemi lojtarë, po nuk qe njëri, futet tjetri që i jep një dorë dhe është ndoshta edhe më mirë sesa tjetri që ishte në fushë dhe besoj që kjo ka qenë pika më e fortë e jona që ka ndryshuar.
Kryeministri Edi Rama: Unë, në fakt, jam impresionuar shumë nga trajnerët në sensin e kam pasur në një bisedë këtu, në sensin e metodës së punës së tyre. Për shembull, kur më thanë që shohin gjithë ndeshjet tuaja që bëni çdo të dielë nëpër kampionate që nga Seria A që është më kollaj, si të thuash, deri në kampionate që janë më larg dhe pastaj i diskutojnë me ju detaje të caktuara, momente të caktuara të aktivitetit atje, pastaj puna me videot dhe ndërkohë edhe presidenti është shumë i impresionuar nga puna e tyre që hapin derën e Federatës dhe mbyllin derën e Federatës, në kuptimin që rrinë pa orar atje, duke analizuar videot dhe duke komunikuar me ju.
Elseid Hysaj: Ajo është, siç e dinë të gjithë, po nuk punove fort nuk arrin askund. Kështu që, duhet të punojnë si trajneri, siç kemi punuar dhe ne të gjithë djemtë…
Kryeministri Edi Rama: Po kam përshtypjen që, se pak e di dhe nga vetja, po ka përshtypjen edhe kur je, edhe kur je në shtëpi, mendërisht domethënë nuk je plotësisht, sepse vazhdon xhiron topin në kokë kam përshtypjen.
Elseid Hysaj: Është. Siç tha dhe Gjimshiti, është problem me thënë të drejtën. Se unë kam bërë tre fëmijë kështu që është pak më rrëmujë që ta gjejmë një kohë. Edhe si the edhe ti kur shkon në shtëpi edhe si gjen, edhe kur kthehesh pas 5 orësh ndonjëherë na bie të kthehemi edhe në tre të natës, katër të mëngjesit edhe duhet e i ra telefonit dhe i thua: – Grua ma hap derën se erdha. Ata flenë gjumë.
Kryeministri Edi Rama: Po ti nuk ke çelës.
Elseid Hysaj: S’mbaj çelsa unë, kam gruan. Edhe kur arrij në shtëpi pas stërvitje që rrijë me fëmijët pushim, filloj e mendoj për ndeshjen tjetër që ke për të luajtur. Sepse në të vërtetë kur shkon në shtëpi ose shef ndonjë ndeshje në televizor të ndonjë skuadre tjetër. Gjithmonë e ke një pjesë të futbollit. Plus që djali im, tani që është bërë 7 vjeç është bërë një tifoz i paparë. E kam si trajner të dytë në shtëpi kur shkoj. Pse nuk bërë gol? Pse luajte keq? Pse luajte mirë? Çfarë bërë? Dhe duhet me fillu me ia shpjeguar edhe atij të gjitha çfarë mund të ndodhin, çfarë s’mund të ndodhin. Pastaj kaloj te gruaja. Pra, janë gjëra që janë edhe bukur se ke diçka kur shkon në shtëpi pas stërvitjes, ose nëse je mërzitur. Kam patur momente që, në të vërtet kam pas momente në futboll që edhe unë jo gjithmonë i kam patur festa. Gjithmonë kur e ke një njeri me fol në shtëpi, si familje, gruaja, fëmijët ose diçka ta heq atë mërzinë që ke edhe të jep pozitivitetin që thua: – Ok, jeta kështu e ka duhet ta kalosh këtë fazë sa më shpejt, sepse gjithmonë fazat e këqija, gjëja kryesore është ta kalosh sa ma më shpejt. Edhe pse është e keqe duhet ta kalosh, sepse përndryshe të zgjatet shumë dhe bëhet me të vërtete e vështirë pastaj.
Kryeministri Edi Rama: Edhe me Anglinë luajtën mirë ata, pjesën e parë luajtën shumë mirë. Pastaj Anglia me eksperiencën, forcën dhe të gjithë.
Elseid Hysaj: Normal pastaj janë edhe këto kombëtaret e forta që ti ulesh në fushë, por lufton dy minuta ndoshta ndryshojnë ndeshjen, bëjnë dy gola. Në futboll është gjithmonë, është i bukur se mund të kesh një rast dhe ndryshon loja për dy minuta. Edhe minuta e fundit. Edhe ndeshjet disa herë i kemi fituar edhe në minutën 95. Kështu që na bëri gol portieri në Champion League e barazoi ndeshjen e Champions League. Për këtë është i bukur futbolli. Edhe për punën e tifozëve siç the edhe ti. Unë i kuptoj në fakt se të gjithë duan të jenë trajnerë të gjithë duan të thonë këta gjithë ditën rrinë në hotele, pse nuk luajnë mirë. Po kur të jesh brenda konceptit të futbollistit është krejt ndryshe. Ke shumë gjëra të tjera. Presioni, tifozeria, trajneri, loja. Po s’të eci loja do e analizosh pas ndeshjes. Edhe me Ishujt Faroe siç the, janë rritur skuadrat, nuk ka më skuadra të vogla. Po ti shohësh në letër thua këta i rreh 3-0, po ndoshta ha një gol dhe ndoshta humb 1-0. Kështu që tani me vërtet duhet me qenë të përqendruar me të gjitha skuadrat. Nuk ka më skuadra të vogla.
Kryeministri Edi Rama: Ai është gjithë kohës si hija e kombëtares dhe u takuam para ndeshjes me Çekinë, i thashë, hë si jemi? Fitore more, më tha. I thashë dakord, por mos e thuaj me kaq bindje. Ja ke për ta parë më tha. Dhe pastaj në tribunë nuk e kam parë ndonjëherë, rrallë kam parë ndonjë njeri që nuk ishte fare aty. Pastaj u bë goli i parë, u bë i dyti, pastaj filloi, duhet dhe i treti.
Çuna faleminderit. Jeni shumë të mirë, jeni shembull, jeni frymëzim dhe faleminderit për gjithçka që arritët deri këtu. Tani e dini që oreksi vjen duke ngrënë. Ju e dini që është një fjalë që thotë në sport nuk ka mirënjohje. Nuk ka si të ketë sepse nëse sporti do bazohej tek mirënjohja, atëherë do t’i mungonte ajo egërsia e mungesës së dëshirës për këdo që mund të jetë ylli i momentit sot, nesër nëse nuk do jetë dot ylli i momentit nuk ekziston, kështu që sfida përpara është e madhe, por unë kam besim vetëm për një gjë. Duke qenë se nuk keni nga ikni, aty ku është e shtrënguar situata ju jepni maksimumin dhe dilni më mirë. Aty ku pastaj thoni “hë se këto nuk i kemi problem”, aty bëhen skandale. Kështu që në këtë sens unë kam shumë besim që tensioni, plus grumbullimi më i gjatë dhe përpunimi, se këto ndeshje i keni 2-3 ditë maksimumi kurse atje do keni mundësi grumbullimi e motivimi që të na bëni një tjetër dhuratë fantastike e ta shënoni emrin me germa të arta në historinë e futbollit shqiptar.
Elseid Hysaj: Shumë faleminderit.