Gjatë këtyre ditëve në Durrës është grumbulluar kombëtarja U15 e Shqipërisë. Risia e këtij grumbullimi padyshim që ka qenë grumbullimi i një 14 vjeçari të talentuar shkodran. Bëhet fjalë për Elton Fikajn i cili është pjesë e Akademisë së klubit të njohur Panathinaikos.

Ai luan me këmbën e majtë dhe dallohet për një teknikë të lartë, ndërkohë që trajnerët e preferojnë për ta aktivizuar në të gjithë këtë linjë, si në mbrojtje, ashtu edhe në mesfushë e sulm.

I datëlindjes 18 tetor 2005, Eltoni ka lindur në Athinë të Greqisë, vend ku prindërit e tij kanë emigruar prej kohësh. Që në moshë të vogël rregjistrohet me futbollin duke qenë pjesë e ekipit Apollon Smirnis.

Më pas ka kaluar tek Olimpiakos, ku ka bërë paraqitje shumë të mira dhe ka fituar edhe disa kupa duke qenë pjesë e kësaj Akademie.

Por përpara një viti e gjysëm, bashkë me babain e tij- Ilirin, marrin vendimin për të kaluar tek Panathinaikos, edhe sepse Eltoni që në moshë të vogël ka qenë tifoz me këtë skuadër. Luan me ekipin U15 të kësaj Akademie dhe përshtypjet e drejtuesve janë shumë pozitive.

Ëndrrat e tij janë të mëdha megjithatë është në hapat e parë të karrierës së tij. Kuptohet që ka ende shumë për të bërë, por të dhënat i ka të mira. Një sallaks i cili spikat në çdo ndeshje që luan duke i bërë për vete të gjithë.

Sa i takon kombëtares, ai e ka bërë zgjedhjen e tij. Do luajë për Shqipërinë dhe ndihet mjaft mirë që ka vepruar kështu. Grumbullimi me kombëtaren U15 i këtyre ditëve, është i pari për të, por me siguri që tashmë do të ketë vazhdimisht në të ardhmen.

Në ndeshjen e zhvilluar ditën e mërkurë ndaj ekipit rajonal të Durrësit, Fikaj është aktivizuar në pjesën e parë nga trajneri Dama duke bërë një paraqitje të mirë dhe ka dhënë asistin e golit të dytë duke ndihmuar në fitoren 2-0 të kombëtares U15.
Gjergj KOLA