Xhup bojë qielli mbante veshur atë natë në “Loro Boriçi” gjermani Hans-Peter Briegel. Ishte 29 mars i vitit 2003 dhe Shqipëria priste Rusinë në Shkodër. Trajneri i kombëtares tonë zgjedh të aktivizojë nga minuta e parë një djalë të ri shkodran dhe i beson fanellën me numrin 2.

Quhet Elvin Beqiri dhe në qytetin e stadiumin e tij do të mbrojë portën e Foto Strakoshës bashkë me Geri Çipin dhe Adrian Aliajn. Pa mbushur ende 23 vjeç, Elvin Muçiqit (mbiemri i vërtetë, familjarisht shqiptarë të Podgoricës) i bie mbi supe një barrë e rëndë, e sikletshme.

Kësaj radhe mbi të nuk ka sytë vetëm tifozeria shkodrane, por e gjithë shqiptaria e apasionuar pas lojës së bukur. E ëma e lojtarit ka një biletë në dispozicion për ta ndjekur të birin në stadium. Nga emocionet e forta, zonja ndërron mendje dhe vendos që ndeshjen Shqipëri-Rusi ta shikojë nga televizori i shtëpisë.

Me elegancë dhe qetësi, vendosmëri dhe saktësi, simpatiku në paraqitje kontribuon që Shqipëria të fitojë 3-1 duke luajtur një ndeshje të madhe. Briegel me xhupin bojë qielli në stol feston si tifozët. Jo vetëm për rezultatin por edhe për faktin se ka siguruar një titullar në mbrojtje, repart historikisht me alternativa të pakta.

Karriera me klube e Elvin Beqirit merr një shtysë të konsiderueshme. Nga Vllaznia, me të cilën ka fituar 1 titull kampion, kalon në Ukrainë te Metalurh Donetsk. Fiton fanellën e titullarit në kombëtare dhe provon të luajë edhe në Rusi e Izrael. Mbrojtësi i qetë shkodran shpeshherë penalizohet nga dëmtimet e rënda, faktor që ndikon në rikthimin e tij në Shkodër në vitin 2008, ku ja del të fitojë një Kupë Shqipërie me skuadrën e zemrës edhe pse luan në pak ndeshje.

Me kombëtaren e mbyll në vitin 2009 ndërsa pas një përvoje 3-vjeçarë në Azerbajxhan kthehet te e vetmja skuadër shqiptare fanellën e së cilës veshi në karrierë, Vllaznia e Shkodrës. Elvin Beqiri tërhiqet nga futbolli i luajtur në verën e vitit 2015…
*Marre nga Pjesa e Trete