Lojtari më me përvojë në skuadrën shkodrane, Elvin Beqiri është i mendimit se ndeshja miqësore e zhvilluar ditën e dielë ndaj malazezëve të Zetës i ka shërbyer ekipit të tij për të ruajtur formën dhe për t’u bërë gati për sfidën e rradhës në kampionat. Duke folur pikërisht në lidhje me këtë miqësore, Beqiri do të shprehej:

“Ekipi e ka të nevojshme të zhvillojë sa më shumë ndeshje miqësore, për të ruajtur ritmin e kampionatit. Them se dhe miqësorja e fundit që zhvilluam me Zetën ishte pozitive sepse realizuam disa gjëra, ndoshta 60-70 % të atyre çfarë na kishte thënë trajneri para ndeshje. Sigurisht që ka ende për të përmirësuar megjithatë jemi në punë e sipër çdo ditë për t’i korigjuar këto gabime. Ish-lojtari i përfaqësueses shqiptare, para se të nisë të flasë për ndeshjen e rradhës, atë me Tomorin, kthehet të flasë për takimin e humbur javën e fundit në Laç. Ai e pranon se Vllaznia ka patur gabimet e veta në këtë ndeshje por nga ana tjetër, nuk e kupton pse klubi nuk ka kontestuar gjykimin shumë të njëanshëm që u vërejt në këtë takim. Sipas tij, gjykimi vendosi në humbjen e kuqebluve. “Ndeshja me Laçin ka qenë shumë e rëndësishme për ne dhe nëse do kishim marrë ndonjë pikë, sot do të flisnim ndryshe. Jemi paraqitur mirë vetëm në minutat e para të ndeshjes dhe më pas forca jonë ka rënë. Por ajo që më bën përshtypje është heshtja e klubit tonë. Më parë ai ka reaguar për gjëra më të vogla ndërsa për këtë ndeshjen e fundit, ndonëse të dy golat e Laçit ishin të parregullt, e po ashtu nuk na u dha edhe një 11-metërsh në favorin tonë. Unë mendoj se rezultati i asaj ndeshje u diktua nga gjyqtarët. Kjo nuk është për të justifikuar humbjen sepse kuptohet që skuadra ka disa probleme ashtu si çdo skuadër tjetër, por duhet ta ngremë zërin ashtu siç duhet për padrejtësitë që na bëhen”- ka thënë për gazetën mbrojtësi kuqeblu. Ndërkohë përgatitjet kanë nisur tashmë për takimin e rradhës, atë të fundjavës me Tomorin. Në pamje të parë duket një përballje e lehtë megjithatë Beqiri mendon ndryshe e për këtë shton: “Këtë javë kemi filluar punën për përgatitjen e ndeshjes së rradhës me Tomorin që do të luhet të dielën. Dihet që nuk ka ndeshje të lehta pavarësisht se skuadra beratase është një ekip që në letër duket i lehtë. Ne po e vlerësojmë shumë seriozisht edhe këtë ndeshje prandaj dhe miqësorja me Zetën i shërbeu pikërisht asaj”. Kur kanë mbetur edhe shtatë javë deri në fund të kampionatit, Vllaznia duket se ka pak shanse për të arritur objektivin e saj për të qenë në Kupat e Europës megjithatë Beqiri thotë se duhet shpresuar deri në fund për këtë. “Objektivi jonë siç dihet është arritja e daljes në Kupat e Europës. Me humbjen e Laçit jemi të vetëdijshëm se na janë zvoglësuar shanset por ne do vazhdojmë punën tonë deri në fund. Futbollit kurrë nuk i dihet prandaj dhe do tentojmë deri në fund”-ka thënë ai.
Admir URUÇI