Të pranosh të rikthehesh në detyrën e zv.trajnerit, në një kohë që prej një dekade drejton skuadra në Kategorinë Superiore dhe të Parë, është diçka që ndodh rrallë.

Megjithatë, Elvis Plori është një rast i veçantë në Shkodër, pasi nga ambiciet për të qenë trajner i parë i Vllaznisë, pranoi të bëhej ndihmës i gjermanit Tomas Brdariç. Por, çfarë ka ndryshuar në Shkodër që skuadra tashmë është jo vetëm në luftë për titull, por mund të quhet pa frikë edhe si një prej favoriteve për të fituar kampionatin?

Plorit i ka parë shumë syri, pasi edhe kur Vllaznia ka fituar për herë të fundit titullin dy dekada më parë, ka qenë futbollist i saj dhe ka ende në shtëpi medaljen e kampionit. Megjithatë, tani ka ardhur momenti që mund të marrë një tjetër medalje si një pjesëtar i rëndësishëm i stafit teknik të Vllaznisë.

Cili është sekreti i kësaj skuadre dhe si është të punosh me Brdariçin? Çfarë po ndodh në Shkodër, që Vllaznia nga lufta për mbijetesë, tashmë po mahnit qytetin djep të futbollit? Këto, por jo vetëm, Plori i tregon në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”.

Elvis, ju keni qenë në fushë kur Vllaznia për herë të fundit u shpall kampione në sezonin 2000-2001. Tashmë dy dekada më pas jeni pjesë e stafit teknik. Na tregoni pak për atë që po përjetoni tani?

Të jem i sinqertë, edhe pas ndeshjes me Bylisin si për koincidencë kam diskutuar me miqtë për këtë që po më pyesni, duke kujtuar me nostalgji vitin 2001. Edhe pse jemi pak larg në kohë, atmosfera dhe kënaqësia që ndiejnë njerëzit në Shkodër ka filluar të ndihet sikur të jemi 20 vite më parë.

Kjo atmosferë i mungonte shumë Shkodrës dhe nëse gjatë këtyre viteve qyteti ka “fjetur”, e vetmja arsye ka qenë se nuk ngopet me një ekip që lufton për mbijetesë apo për mesin e tabelës. Duke qenë një qytet shumë futbolldashës, e përjeton keq faktin që nuk ka pasur një skuadër që lufton për trofe në këto 10 vitet e fundit.

Vetëm kështu zgjohet nga gjumi qyteti dhe tregon se çfarë dëshire dhe entuziazmi ka. Kur erdhëm në Shkodër pas ndeshjes me Bylisin dhe po diskutonim me lojtarë që nuk janë vendës, ishin të habitur me pritjen që bënë tifozët. Qyteti tani po flet vetëm për futboll.

Ju pranuat të ishit ndihmëstrajner, duke lënë pas egon personale. Si është të punosh me Tomas Brdariçin?

Nuk ishte një vendimmarrje e lehtë për mua. U bëra 12 vite si trajner i parë, por shkak u bë vetë sponsori Xhaferi. E njoh prej vitesh, madje jemi edhe komshinj dhe njihemi familjarisht. Në një takim që bëmë, më propozoi këtë detyrë dhe më bindi. E pranova me kënaqësi, sepse që në fillim e dija se me cilin trajner do të punoja.

Është një eksperiencë shumë e mirë për mua, duke ditur karrierën që ka pasur Brdariç si lojtar. Kam se çfarë mësoj prej tij, pastaj ai vjen nga një shkollë komplet ndryshe nga ajo e Shqipërisë, trajningu gjerman dhe për më tepër duke ditur rigorozitetin që ata kanë në punë. Natyrisht, edhe familja ka ndikuar shumë që unë të pranoj këtë ofertë.

Çfarë ka të veçantë Tomasi në punë?

Dikur kam punuar te Vllaznia me trajnerin malazez, Dervish Haxhiosmanoviç. Tomas Brdariç ka të veçantë të tij mënyrën e komunikimit. Është më ndryshe se trajnerët e tjerë, sepse është më i rafinuar dhe në ndryshimin e situatave, di të thotë gjërat ashtu si janë dhe duke ruajtur ekuilibra.

Është një specialist i trajtimit të situatave që ndryshojnë në mënyrë të shpejtë. Ka një tërheqje të momentit dhe bën një bashkëbisedim që me aq eksperiencë sa unë kam, u mungon shumë trajnerëve. Kjo është forca më e madhe e tij. Pra, së pari mënyra e komunikimit dhe tërheqja e tij në disa vendimmarrje të rëndësishme për ekipin, që unë vërtet ia lakmoj. Kjo e bën shumë të veçantë dhe kam se çfarë marr prej tij.

Si reagon ai me lojtarët kur ka debate?

Natyrisht që në punë ka edhe debate, por deri më tani çdo gjë po shkon mirë. Ajo që dua të theksoj për këtë pjesë është fakti se përpara se debatet të përplasen te Tomasi, fillimisht do të sqarohen nga unë, më pas nga drejtori e deri te drejtuesit më të lartë. Kemi një funksion pune në atë mënyrë që të zbehin edhe shqetësimin më të vogël.

Mentaliteti gjerman është futur në skuadër apo thjesht të gjithë i binden Brdariçit dhe gjërat po shkojnë mirë?

Dëshira shumë e madhe që kanë të gjithë për të punuar dhe bërë mirë në këtë skuadër ka bërë që mentaliteti gjerman të përshtatet dhe të mos ketë fare diskutime në procesin e punës. Është një vullnet i jashtëzakonshëm dhe funksionon perfekt. Tomasi ka një organizim të atillë të punës, që neve si trajnerë shqiptarë na mungon shumë. Në klubin tonë ka ndryshuar gjithçka sa i përket stërvitjes.