Trajneri Elvis Plori do të bëjë debutimin e tij, si trajneri i parë i Vllaznisë, në përballjen e javës së 26-të ndaj Egnatias. Klubi shkodran vendosi largimin e trajnerit gjerman Thomas Brdariç pas luhatjeve që tregoi skuadra në javët e fundit, ndërsa mendoi që t’i jepte një zgjidhje brenda familjes, me Plorin, i cili në këto dy edicione ka qenë zv/trajner.

Me shkarkimin e Brdariç nga drejtimi i skuadrës, tashmë Plori është vendosur në krye të skuadrës shkodrane. Nesër do të ketë debutimin e parë si trajner me Vllazninë në këtë sezon, duke pasur një provë jo të lehtë përballë një Egnatie, në një formë të mirë sportive, edhe pse kanë gabuar në dy ndeshjet e fundit.

Plori është një emër shumë i njohur në vite i trajningut shkodran, megjithatë teknikun shkodran nesër ndaj Egnatias e pret një ndeshje delikate në debutim, i sapoemëruar në rolin e trajnerit, me detyrën për të ndryshuar “kursin” e shkodranëve.

Vllaznia do të kërkojë reagimin për të qenë me patjetër ndër skuadrat pretendente për të hyrë në “vallen” e Kupave të Europës.

Ata përballë gjejnë një Egnatia, që vjen pas barazimit në minutat finale nga Partizani, dhe rrogozhinasit kërkojnë një trepikësh, që do t’i largonte paksa me fundin e renditjes, duke ushtruar njëkohësisht presion ndaj rivalëve të Kastriotit dhe Dinamos.

Në kampin shkodran, ndryshimi i trajnerit është një apel për motivim ekstra edhe për skuadrën, që në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, ka koleksionuar një fitore, tre barazime dhe një humbje, ecuri qartazi nën ritmin e një formacioni, që i duhet të jetë në hapat e ekipeve për titull kampion.

Trajneri Plori do të ketë disa mungesa me peshë në kampin shkodran, teksa Gurishta, Latifi, Jonuzi, Aralica dhe Da Silva, nuk do të jenë të gatshëm në ndeshjen ndaj Egnatias.

Ndeshja ndaj Egnatias, do të jetë një test i rëndësishëm për skuadrën shkodrane, që në këtë kampionat, nuk ka qenë brenda pritshmërive, sidomos nëse e krahason me atë të vitit të kaluar, me të besuarit e Plorit që do të kenë përballë një skuadër të dënuar për fitore, siç është Egnatia.

Sfidat e dy fazave të para, përfunduan në barazime 1-1, një rezultat që për momentin, nuk do të kënaqte asnjë nga të dyja skuadrat, të etura për një sukses të rëndësishëm në rrugëtimin drejt objektivave sezonalë.
Maringlen ZHIVANI