Trajneri Emiljano Çela ka nisur zyrtarisht punën në krye të Kastriotit, teksa dje drejtoi stërvitjen e dytë në kuadër të ndeshjes që krutanët do të luajnë për javën e 22-të ndaj Tiranës. Ky takim do të zhvillohet në stadiumin e Kamzës, të dielën në orën 13:00.
Krutanët do të kenë një mungesë shumë të rëndësishme, pikërisht mesfushorin Edon Hasani. Titullari i padiskutueshëm i Kastriotit ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të mungojë pikërisht në përballjen ndaj ish-skuadrës së tij, Tiranës.
Motivimi në radhët e skuadrës është i madh dhe rikthimi i Çelës është pritur mirë nga lojtarët, të cilët e kanë të qartë se çfarë kërkon trajneri. Vetë ky i fundit, përmes një komenti në rrjetet sociale, ka thënë se do të justifikojë besimin e klubit.
“Ishte detyrim moral për ekipin t’i gjendem kur ka nevojë. Mirënjohje për vlerësimin dhe besimin e vazhdueshëm nga klubi. Sfida dhe arritje të reja na presin”, ka thënë Çela.