Në disa kampionate pjesa e dytë e sezonit ka nisur prej kohësh e ndërsa të tjera pritet që të startojë sezoni i ri me ardhjen e marsit. I tillë është edhe kampionati bjellorus, që pushon gjatë dimrit për shkak të rreshjeve të shumta të dëborës dhe ftohtit. Por ekipe bjelloruse po zhvillojnë përgatitjet para nisjes së sezonit të ri.

Një ndër skuadrat është edhe Shakhtyor Soligorski, kampionia në fuqi e Bjellorusisë. Skuadër ku aktivizohet edhe mesfushori shkodran, Ardit Krymi. Ekipi i 26-vjeçarit ka zhvilluar ditën e sotme një ndeshje miqësore me skuadrën e Ostrovets. Kampionët kanë fituar me rezultatin 3-1, duke treguar një formë të mirë sportive.

Dhe protagonist ka qenë edhe Ardit Krymi, i cili ka shënuar golin e parë të ndeshjes. Një inkursion nga e majta e futbollistëve të Soligorskit është finalizuar nga Krymi.

Gol ky që ka ardhur në minutën e 16-të të takimit. Dhe që më pas u pasua nga rrjetat e Placca dhe Skavysh për Shakhtyor e ndërsa golin e nderit për kundërshtarët e shënoi Yatskevich.

Ky do jetë sezoni i dytë për Krymin në Bjellorusi , ku në të parin ishte i rëndësishëm në shumë takime për skuadrën e tij. Madje duke fituar edhe titullin kampion. Suksese të tilla si Krymi ashtu edhe Soligorski pretendojnë ti ripërsërisin edhe në sezonin që hapet muajin tjetër në. Bjellorusi.
Endri ÇINARI