Ka qenë një ndër emrat e përzgjedhur për t’u nderuar si “boksier i shekullit” për klubin Vllaznia si rrjedhojë e shtatë titujve kampionë që ka fituar me të, megjithatë Kristian Demaj nuk ka dashur të ndalet këtu. Të shtunën mori edhe të tetin dhe me siguri që sukseset e tij do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Në një intervistë për “Shkodra Sport” ai ka folur për suksesin e rradhës, kënaqësinë e të qënurit “boksier i shekullit” dhe po ashtu ka dhënë një përcaktim shumë domethënës për emrin “Vllazni”. Ndiqni më poshtë intervistën me Kristian Demajn:

– Demaj, keni fituar edhe titullin e tetë kampion me Vllazninë. Kënaqësi të shpallesh sërish kampion?

– Patjetër që është kënaqësi, po ashtu edhe privileg i jashtëzakonshëm sa herë që shpallesh kampion.

– Ishte e vështirë ardhja nga Gjermania apo thirrja e Vllaznisë ju bëri që të mos mendoheshit dy herë?

– Jam menduar shumë herë por janë shumë faktorë që u bënë bashkë por emocionet dhe kënaqësia që të jep përfaqësimi i Vllaznisë në kampionat dhe fitimi i titullit, qëndron mbi çdo gjë negative që mund të kem marrë prej largimit nga Gjermania për këtë periudhë të shkurtër.

– Ishte e vështirë fitorja e këtij titulli?

– Ishte e vështirë, në përgjithësi ka qenë një kampionat shumë i fortë dhe çdo gjë shkoi deri në ndeshjen e fundit që u vendos edhe për fatin e ekipit kampion.

– Jeni shpallur pak kohë më parë “boksier i shekullit” për SK Vllaznia. Çfarë do të thotë kjo për ju?

– Privilegj i madh të shoh emrin tim në “10 Boksierët e Shekullit” të Vllaznisë dhe kjo është arritja më e madhe që kam patur në karrierën time.

– Çfarë është Vllaznia për ty?

– (Mendohet gjatë) Shumë e vështirë për ta përcaktuar shkurt. Vllaznia është një mushkëri që i duhet çdo shkodrani, ky emër duhet të jetë pjesë e çdo shkodrani.

– Dhe ju nuk do të hezitoni asnjëherë ta përfaqësoni edhe në të ardhmen?

– Asnjëherë!
© shkodrasport.com