Një ndër gjyqtarët më të mirë në futbollin shqiptar, Enea Jorgji prej një muaji nuk ka arbitruar asnjë duel në Superligë apo në Kupën e Shqipërisë. Pas një deklarate në një emision televiziv, elbasanasi duket se është shpallur “non-grata” nga Sektori i Arbitrimit pranë FSHF-së, duke mos qenë as në VAR dhe as në fushë.

“Momenti më i vështirë në karrierë ka qenë një ndeshje që vendosi sezonin, mes Kukësit dhe Skënderbeut. Me vendimmarrjet e mia atë kohe, u acaruan tifozët, por gjithçka është lënë pas tani më dhe besoj se gjithsecili duhet ta ketë kuptuar që nuk ka qenë Enea ai i asaj ndeshjeje”, u shpreh Enea Jorgji në një intervistë.

Në lidhje me mosaktivizimin e tij për një muaj, ka folur edhe Redi Jupi në Procesin Sportiv. Jupi ka thënë se Jorgjit i kanë dërguar një sms “reabilitimi”. “I kanë çuar një mesazh Enea Jorgjit dhe i kanë thënë do të arbitrosh kur të gjesh veten”, u shpreh Jupi.

Për herë të fundit Enea Jorgji arbitroi Dinamo – Korabi në Kategorinë e Parë në 3 prill, duke “humbur gjurmët” pas deklaratës për ndeshjen mes Kukësit dhe Skënderbeut disa sezone më parë.