Prej kohësh bëhej fakt i kryer emërimi i Alban Nezirit në pozicionin e drejtorit sportiv të Vllaznisë por shtyrja e zyrtarizimit la të kuptohej se diçka kishte në këtë mes. Dhe në fakt kështu rezultoi.

Drejtori i ri sportiv i klubit shkodran është turku Engin Firat. Ai ka shprehur dëshirën e tij për të punuar tek ky klub dhe projekti i paraqitur, ka bindur drejtuesit.

Po kush është ai? Firat nuk ka patur ndonjë karrierë të suksesshme si futbollist dhe për këtë arsye, i ka hyrë shpejt trajnimit.

Fillimisht si ndihmëstrajner tek Samsunspor dhe Antaliaspor në Turqi. Më pas, kalon në klube të rëndësishme si Eintraht Frankfurt në Gjermani apo dhe Fenerbahçe duke qenë pjesë e stafeve të tyre.

Eksperienca e marrë aty, bën që më pas të jetë trajner i parë tek Ahlen në Gjermani. Më pas karriera e tij ka vazhduar në Korenë e Jugut ku drejtoi Inçeon United dhe më pas Kayseri Erçiesport në Turqi.

Ka punuar edhe në Iran ku ka drejtuar ekipet Sepahan, Folad dhe Saipa. Aktualisht mban pozicionin e menaxherit të përgjithshëm tek klubi Karabukspor në Turqi ndërkohë që për njëfarë periudhe ka mbajtur këtë pozicion edhe tek Dallas City FC në Amerikë.

Në CV-në e tij janë edhe disa trofe të fituar. Në vitet 2009 dhe 2011 është votuar si trajneri më i mirë turk jashtë Turqisë.

Në vitin 2006 ka fituar kupën e Turqisë duke qenë pjesë e stafit të Sivasspor ndërsa në vitin 2009 është kualifikuar në Champions League të Azisë.

Ndërkohë, ditët e fundit Firat ka qenë në bisedime me Federatën e Futbollit të Irakut që i propozoi detyrën e drejtorit teknik të ekipit kombëtar të këtij vendi.

Por në fund duket se nuk është arritur akordi për këtë gjë dhe tashmë është Vllaznia që “e ka rrëmbyer”.E gjithë kjo CV dhe projekti i paraqitur në klubin Vllaznia duket se kanë bindur drejtuesit e tij për t’i besuar detyrën e drejtorit sportiv.

Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë në këtë pozicion për të rritur vlerat e kuqebluve.
www.shkodrasport.com