Eni Imami do të largohet me kokën lartë dhe me zemrën plot, pas aventurës në Europë me Vllaznisë. Mbrojtësi kryeqytetas do të vijojë karrierën te Dinamo, teksa këtë gjë e ka konfirmuar edhe pas kualifikimit të çmendur ndaj Shiroki Brijeg. Në prononcimin për mediat, autori i golit të dytë, u shpreh:

Ishim jashtë mase të karikuar. E dinim që do e kalonim këtë kundërshtar. Na motivoi më shumë edhe ajo ndeshja atje të them të drejtën. E dimë shumë mirë të gjithë që nuk e kemi merituar të humbasim në Shirokë. Kam firmosur te Dinamo dhe jam një lojtar i Dinamos. Nuk doja të largohesha nga Vllaznia ashtu me hile.

Doja të largohesha me kokën lartë. Sigurisht që tani do e vazhdoj aventurën Europiane, por uroj të ecim sa më shumë. Kam kaluar një vit të mrekullueshëm në Shkodër dhe do ishte mënyra më e keqe të largohesha duke u eliminuar për faj të dikujt tjetër, jo për fajin tonë.

Pishman i madh që nuk i shijova tifozët për 1 vit këtu te Shkodra. Sot ishte kënaqësi e madhe që i shijova si futbollist i tyre, pasi gjithmonë kam qenë kundërshtar”, përfundoi Imami.