Vllaznia U-19 të shtunën që shkoi barazoi në Shkodër ndaj Partizanit, duke marrë një tjetër rezultat jo fort pozitiv në rrugëtimin e saj në kampionat. Megjithatë, kjo ndeshje ka patur edhe një të veçantë tjetër brenda, edhe pse jo në rradhët e ekipit kuqeblu.

Kështu, një nga futbollistët e Partizanit në këtë ndeshje, pikërisht mesfushori shkodran Ensar Tafili ishte një nga më të mirët në fushë për ekipin e tij, i cili luajti si titullar në këtë takim kundër qytetit dhe skuadrës së tij të zemrës padyshim. Tafili dha në këtë ndeshje më të mirën e tij të mundshme dhe realisht ishte një nga futbollistët më të mirë të këtij dueli.

18 vjeçari luan në pozicionin e mesfushorit të qendrës dhe konsiderohet si e ardhmja e këtij reparti për të kuqtë. Një element që ka spikatur me paraqitjet e tij të mira edhe me ekipet e Akademisë Vllaznia kur ishte në Shkodër, por tashmë Tafili ka vendosur që ta vijojë karrierën e tij tek Partizani.

Në fakt, Ensari vjen nga një familje shumë e njohur në sport, kryesisht në atë të çiklizmit sepse xhaxhallarët e tij, Agimi dhe Sytkiu janë shumë të njohur, ndërsa babai i tij, Shkëlqimi është marrë me qitje. Megjithatë, mesfushori 17-vjeçar ka vendosur të ndjekë rrugën e djalit të xhaxhait, Alsidit, i cili është një emër shumë i njohur në Shkodër prej shumë vitesh si futbollist, por së fundmi edhe si menaxher.

Ensar Tafili është një futbollist që po spikat tek ekipi i tij i Akademisë Partizani dhe tashmë, padyshim që do të tentojë ta bëjë këtë gjë edhe me ekipin e parë. Poashtu, padyshim që ai mund të ketë mundësi për të dhënë shumë edhe për Vllazninë në një të ardhme të afërt, por nga ana tjetër edhe drejtuesit kuqeblu duhet të bëjnë detyrën e tyre, duke i hedhur sytë dhe “grepat” nga ky futbollist, pasi realisht Ensar Tafili konsiderohet si një mesfushor me mjaft të ardhme.
Maringlen ZHIVANI