Teuta do të luajë ditën e nesërme një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Vllaznisë për objektivin që ata kanë në këtë fund-sezoni, pikërisht arritjen e një vendi që mund t’i dhurojë pjesëmarrjen në Conference League. Kështu, në stërvitjen e fundit që kanë patur në dispozicion, “Djemtë e Detit” duket se kanë vendosur se cilët futbollistë do të luajnë në sfidën me Vllazninë.

Trajneri Edi Martini ka rreshtuar 11-shen e mundshme që pritet të jetë titullare, por tekniku shkodran ka ende dilema mbi formacionin që do të hedhë në fushë për shkak të problemeve me dëmtimet. Kështu, nga minuta e parë pritet të jenë Qirko në portë dhe në mbrojtje Marku, Jazxhi, Kotobelli dhe Kouros.

Mesfusha do të ketë ndryshime të mëdha, si pasojë e dëmtimeve. Trajneri shkodran Edi Martini ka vendosur që të luhet me tre në mesfushë, pikërisht me kapitenin Emiljano Vila, Karabecin dhe Beqjan.

Fantazisti Sherif Kallaku është akoma në dilemë nëse do të luajë apo jo si pasojë e një dëmtimi që po kalon. Ndërkohë, Teuta ka vendosur që të luhet me tre shkatërrues, duke parë që pak a shumë në të njëjtën mënyrë luan edhe Vllaznia dhe prandaj, “Djemtë e Detit” do t’u përgjigjen me të njëjtën monedhë. Megjithatë, mbetet për t’u parë, pasi skema gjatë ndeshjes mund të kalojë edhe në 3-5-2.

Sulmi nga krahët do të jetë me Lorenco Vilën dhe Gjinollarin, ndërsa shkodrani Ildi Gruda do të jetë qendërsulmues. Trajneri Edi Martini ka provuar edhe futbollistë të tjerë, por nuk ia kanë mbushur mendjen.

Në mendjen e tij, tekniku shkodran duket se ka dy mënyra për t’u luajtur ndaj Vllaznisë, me 4-3-3 ose me 3-5-2. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet për t’u parë dhe zbuluar vetëm në startin e ndeshjes së nesërme, e cila do të fillojë duke nisur nga ora 15:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga kanalet e OverSport në platformën TIBO dhe nga RTSH. /Maringlen ZHIVANI/

Plani A – Teuta (4-3-3): Qirko, Marku, Jazxhi, Kotobelli, Kouros, E. Vila, Karabeci (Kallaku), Beqja, L. Vila, Gruda, Gjinollari Tr: Edi Martini

Plani B – Teuta (3-5-2): Qirko, Jazxhi, Kouros, Kotobelli, Marku, E. Vila, Karabeci (Kallaku), Beqja, Gjinollari, Gruda, L. Vila Tr: Edi Martini