Kategoria e Dytë ka mbyllur sezonin e rregullt, teksa tashmë skuadrat do të zhvillojnë edhe sfidat e fundit për fazën e “play-off”. Kështu në grupin A, Veleçiku pasi mposhti Naftëtarin, tashmë do të përballet në sfidën me Valbonën.

Në fakt, pas “finales” së parë të kaluar me sukses, asaj me Naftëtarin që e fitoi me rezultatin e thellë 4-0, tashmë ekipi i Veleçikut po bëhet gati dhe po vijon përgatitjet edhe për “finalen” e dytë, atë të parafundit për arritjen e objektivit të tij, ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Ditën e enjte, koplikasit do të ndeshen me ekipin e Valbonës së Tropojës, në ndeshjen që do të luhet në stadiumin e Vorës, duke nisur nga ora 16:00. Tashmë, kuptohet që vështirësia për Veleçikun natyrisht që rritet, por në dy fazat e para të kampionatit, bilanci i tyre me Valbonën është pozitiv dhe këtë gjë do ta tentojë edhe në këtë “finale” të këtij sezoni.

Së fundmi, trajneri lezhjan Dritan Smajli ka theksuar se objektivi është për ta kaluar edhe këtë kundërshtar dhe për të shkuar pastaj në ndeshjen e fundit, atë me skuadrën e vendit të 9-të të Kategorisë së Parë, ndeshje kjo që do të jetë përcaktuese për ngjitjen apo jo të Veleçikut një kategori më lart.
Maringlen ZHIVANI