Nje vit me pare u organizua kupa “Artan Qamil Medja” e cila u mireprit jashtëzakonisht mirë në opinionin sportiv shkodran.

Kujtimi i një futbollisti të ri të ndarë nga jeta në mënyrë tragjike 24 vjet më parë, konsiderohej një veprim i menduar shumë mirë nga organizatorët.

Por kuptohet që një ide e tillë ka gëzuar edhe ish- kolegët e Artanit. Njëri prej tyre, madje një nga shokët e tij më të ngushtë, Entri Çaku ndjehet keq që nuk mund të jetë i pranishëm në këtë kupë ngaqë ndodhet për momentin në Amerikë.

Megjithatë për “Shkodra Sport” ai kujton shumë gjëra për mikun e tij të ndarë nga jeta.

“Pjesa më e madhe e futbollistëve të Vllaznisë së atyre viteve, ishin thuajse moshatarë. Kemi mbaruar shkollën e futbollit “Xheladin Fishta” dhe bashkë me Tanin kemi lujt për 4 vite sëbashku tek U-17 e U-19, ku në vitin 1991 kemi qenë finalistë të kampionatit kombëtar.

Në tetor të vitit 1992 pas kthimit të ekipit të parë nga Korsika (ku dihet eksodi i lojtarëve ateherë), ne ishim tek U-19 dhe direkt na thirrën tek ekipi i pare.

Ishim unë, Tani, Ron Miloti, Uliks Kotrri, Andi Leli dhe disa shokë të tjerë. Tani ka qenë mbi të gjitha një djalë me cilësi të veçanta, shumë i shoqërueshëm dhe gazmor.

Një futbollist që pati një rritje cilësore gjatë një viti e gjysëm që i takoi me lujt tek ekipi i parë.Një organizator tipik modern me vizion për lojën. Kishte fantazi dhe portën e njihte mirë pasi kishte një goditje të paster.Gradualisht u bë pikë kyçe në formacionin e Vllaznisë të asaj kohe. Por nuk qe e shkruar të vazhdonte më tej”.

Diçka e dhimbshme në fakt ndarja nga jeta e Artan Medjes në moshën 19 vjeçare.Por ky ka qenë fati i tij sepse atë pasdite të 28 shkurtit në makinë me të kanë qenë edhe tre persona të tjerë dhe njëri prej tyre është edhe protagonisti i këtij shkrimi, Entri Çaku që me dhimbje e kujton ende edhe sot atë ditë të errët.

“Më 26 ose 27 shkurt të vitit 1994, luhet Vllaznia- Lushnja ku ne fitojmë 3-0. Njërin gol e shënoi Artan Medja, një tjetër Altin Halili ndërsa të tretin nuk e mbaj mend.

Më 28 shkurt, pasi ne morëm një shpërblim atë ditë pas analizës së ndeshjes, kemi shkuar në Shirokë të festonim. Ishim unë, Tan Medja, Altin Halili dhe Ben Çaku.

Rrugës është bërë hataja e unë për vete kam qenë 2 javë në koma e nuk e mbaj mend atë ditë akoma, veç se çfarë më kanë treguar njerëzit që na kanë parë.

Artani për fatin e keq të tij nuk mundi te rezistonte dhe u nda nga jeta, ndërkohë që të tjerët kanë pësuar dëmtime të ndryshme dhe madje Altin Halili pësoi thyerje të kockave të legenit dhe për atë arsye e la futbollin.

Një pasdite e tmerrshme që për fat të keq solli humbjen e mikut tim më të mirë, Artanit me të cilin kam ndarë dhomën në çdo udhëtim dhe në fazë përgatitore. Unë ruaj ende edhe sot kujtime të jashtëzakonshme për atë djalë”- kujton Entri Çaku.
© shkodrasport.com