Punohet intensivisht në kampin e Milan për të përcaktuar më së miri dhe sa më parë të gjithë stafin drejtues, veçanërisht pas largimit të Leonardos dhe Gennaro Gattuso në javët e kaluara.
Tashmë duket i sigurtë promovimi i Paolo Maldini në rolin e ri të drejtorit teknik të klubit milanez, aq sa ish-kapiteni kuqezi ka nisur tashmë punën prej disa ditësh për të bindur Zvonimir Boban të rikthehet te Milan, këtë herë në rolin e drejtorit të përgjithshëm.
Por jo vetëm, Maldini ka zgjedhur gjithashtu edhe kandidatin favorit për postin e drejtorit të ardhshëm sportiv të Milan. Bëhet fjalë për shqiptarin Igli Tare, që mban këtë rol aktualisht te Lazio.
Është “Sky Sport” që bën përmbledhjen e zhvillimeve dhe situatës në kampin kuqezi. Sipas kanalit sportive, në shtëpinë e Milan ka optimiziëm për një rikthim të kroatit, teksa pritet vetëm konfirmimi i vetë Boban.
Maldini po punon gjithashtu edhe për të bindur Taren, me kontaktet mes palëve që janë të vazhdueshme dhe pa ndërprerje mes kuqezinjve dhe drejtuesit shqiptar, që mbetet zgjedhja e parë për Milan.
Pengesa më e madhe për kalimin e Tares te Milan verifikohet të jetë presidenti i Lazio, Claudio Lotito, që nuk është i bindur të lërë të lirë shqiptarin./telesport/