Ish-portieri i Vllaznisë, Erind Selimaj, por edhe disa skuadrave të tjera në futbollin tonë ka folur për kuqeblutë në një dalje të fundit televizive në Star Plus. Gardiani është shprehur se loja dhe statistikat e skuadrës nuk shkojnë paralel me objektivat e sezonit. Po ashtu ai vlerëson performancën e fundit të Zogoviç kundër Bylis.

Selimaj tha: “Fitorja gjithmonë bën mirë për çdo skuadër e çdo lojtar patjetër. Duhej ky sukses kundër Bylis ndoshta për të qetësuar disi situatën tek Vllaznia.

Por në opinionin tim personal skuadra nuk po i përgjigjet objektivave që ka për kampion. Kjo si fillim tek loja që ka pasur shumë luhatje në këto javë.

Por edhe statistikat që ka pasur në fundin e fazës së parë, ekipi ka shënuar 9 gola dhe ka pësuar 10. Shifra që nuk ngrohin për ecurinë, por shpresoj që gjithçka të ndryshojë tek faza e dytë. Pasi tashmë i njeh gjithë skuadrat dhe je ndeshur me to, e iu di pikat ku mund ti godasësh.

Zogoviç ? Bëri mirë kundër Bylis me pritjet në fund. Sepse jemi mësuar që gjithmonë portieri është fajtor kur pësohet gol e ndërsa kur bën pritje vendimtare nuk merr edhe atë vëmendjen e duhur. Prandaj duhet përgëzuar për çfarë ka dhënë deri më tani”.
Endri ÇINARI