Zv.trajneri i Vllaznisë u-17, Denis Zmijani ishte i ftuar mbrëmë në studion e Star Sport. Ai foli për performancën e fundit të kuqebluve, ku vlerësoi fitoren, por patjetër kërkon që ekipi të japë akoma më shumë. Gjithashtu ai vuri theksin edhe tek një problematikë në qendër mbrojtjen shkodrane.

Zmijani tha: “Fitorja kundër Bylis patjetër jep një lloj frymëmarrjeje për ekipin. Duhej një 3 pikësh i tillë që mungonte prej disa kohësh. Skuadra zhvilloi deri diku një lojë të mirë, por edhe Bylis disi më surprizoi sepse zhvilloi një ndeshje të kënaqëshme. Pavarësisht se shkodranët mund të ndëshkoheshin në fund, me një rast që u dyshua për penallti.

Ekipi duhet patjetër të tregojë më shumë sepse i mbart kualitetet në përbërje. Duhet krijuar vazhdimësia, për të garantuar edhe ecurinë dhe afrimin sa më shumë drejt kreut. Ndoshta tani me rikthimin edhe atyre që kanë qenë të dëmtuar, Vllaznia do jetë akoma më e plotë. Qoftë edhe për vetë figurat që rikthehen.

Pikë e dobët ? Nëse shoh një problematikë tek Vllaznia, ajo është qendra e mbrojtjes. Të dy mbrojtësit janë të ngadaltë dhe shpesh janë shfaqur problematikë. Pikë e fortë është mesfusha, që ka zgjidhur shumë ndeshje.

E ndërsa shpresoj se edhe sulmi ta kalojë krizën, ku mungesa e Latifit ka ndikuar së shumti. Dhe duhet theksuar se ekipi i krijon rastet, por që nuk po shfrytëzohen nga sulmuesit kryesorë të kuqebluve”.
Endri ÇINARI