Peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Briken Calja kanë qenë spektakolar gjatë Kupës së Shqipërisë në peshëngritje. Dy kampionët e Europës ngjallën adrenalinë në kategorinë deri në 81 kilogram, por në fund ishte shkodrani ai që buzëqeshi.

Në shkëputje e ka nisur mirë Calja me 151 kilogram. Kundërpërgjigjet Qerimaj me 152 kilogram. Janë të dy të suksesshëm në 155 kilogram. E më pas Qerimaj nuk realizon 158 kilogram, që është rekord kombëtar në shkëputje, kurse Calja e mbyll me rekord në shkëputje me 157 kilogram.

Në shtytje e nis Calja me 181 kilogram. Vijon Qerimaj me 184 kilogram. Calja 186 e Qerimaj 189. Në fund Calja nuk realizon 190, kurse Qerimaj është i saktë në 193 kilogram, që përsëri është rekord kombëtar, sikurse dhe dygarëshi 348 kilogram.

Një triumf që rrit akoma më shumë figurën e peshëngritësit shkodran, i cili shkruan emrin e tij me 5 rekorde kombëtare, duke u shpallur edhe si më i miri i turneut.

Ndërkohë fitues të tjerë për meshkuj ishin Erald Roshi në peshën 55 kilogram me 84 kilogram në dygarësh, Romario Avdiraj i Tiranës në peshën 61 kilogram me 244 kilogram në dygarësh, Edison Nela i Tiranës në peshën 67 kilogram me 270 kilogram në dygarësh dhe Arbër Çerçizaj në peshën 73 kilogram me 280 kilogram në dygarësh.