Goli i shënuar prej tij në ndeshjen e play- out ndaj Shkumbinit, ka bërë që Veleçiku edhe këtë sezon të luajë në kategorinë e parë. Megjithatë për autorin e atij goli, Ersi Lamin, nuk ka patur vend në ekip për sezonin e ri.

Ka qenë vetë një dëshirë e tij për t’u larguar ngaqë ka patur jo pak pakënaqësi me drejtueit, por në fakt i ka munguar edhe një ftesë për të rinovuar kontratën.

Lami aktualisht ndodhet në Itali, vend ku shpreson të vazhdojë të luajë futboll dhe pranon me kënaqësi të japë një intervistë për “Shkodra Sport” kur shprehet:

– Lami, sivjet nuk jeni i angazhuar as me Veleçikun dhe me asnjë skuadër tjetër. Çfarë ndodhi me ju?

– Me thënë të drejtën me mbarimin e kampionatit të kaluar, nuk kam patur më asnjë kontakt me drejtuesit e Veleçikut dhe siç e kam thënë edhe pak kohë më parë, e kisha vendosur që nuk do të vazhdoja të luaja më me këtë skuadër.

E kisha vendosur kështu sepse s’më pëlqenin mënyra si bëheshin disa gjëra dhe po ashtu edhe mënyra e drejtimit të ekipit nga stafi. Këtu nuk dua të përfshij vetëm shefin e financës Elsamedin që është treguar shumë korrekt.

– Ndërkohë, ju e prisnit qoftë edhe një ftesë formale për të qenë sërish pjesë e Veleçikut edhe në sezonin e ri?

– Nuk e kam pritur një ftesë të tillë. Them kështu nisur nga ajo çfarë na bënë një vit më parë kur na larguan fillimisht dhe pastaj na afruan përsëri në ekip. Por për respekt të djersës që kam derdhur për këtë ekip gjithë këto vite, ma do mendja që e kam merituar një
telefonatë edhe pse nuk ka qenë plani im për t’u rikthyer më aty.

– Ke vendosur të lësh përfundimisht futbollin ngaqë nuk je angazhuar me ndonjë ekip tjetër?

– Momentalisht jam në Itali duke u marrë me disa dokumenta dhe shpresoj që sapo t’i rregulloj ato, të vazhdoj të luaj këtej edhe për disa vite të tjera. Kam patur disa kontakte dhe shpresoj të realizoj këtë dëshirë.

– Pjesë e Veleçikut nuk janë as Plishta dhe as Denis Çokaj, dy protagonistë të tjerë të kësaj skuadre në vite. Çfarë po ndodh?

– Plishta nga sa di unë, nuk ka patur asnjë kontakt me drejtuesit e Veleçikut kurse Denis Çokajn e kanë larguar siç bënë edhe vjet me 5 prej nesh kur fillimisht na larguan dhe më pas na morën sërish në telefon për t’u rikthyer sepse na e kishin nevojën.

– Si e mendoni ecurinë e skuadrës në sezonin e ri?

– Nuk ia kam shumë idenë ngaqë jam pak larg këto kohët e fundit dhe nuk e kam ndjek fare, por gjithsesi i uroj më të mirën djemve të ekipit.
© shkodrasport.com