Kur kanë mbetur dhe 8 ditë nga starti i kampionatit, klubi i Erzenit ka qenë shumë aktiv për sa u përket lëvizjeve në hyrje. Siç u njoftua edhe në numrin e djeshëm të gazetës, pas firmës me mesfushorin brazilian, Alan Kalbergue Rodriges, klubi ka arritur marrëveshjen edhe me një tjetër lojtar, këtë herë në repartin ofensiv. Dje ka mbërritur në Shijak nga Maqedonia e Veriut, sulmuesi i krahut, Florijan Kadriu.

“Panorama Sport” mëson se 26- vjeçari ka firmosur zyrtarisht për shijakasit, duke u bërë afrimi i 15- të në këtë merkato vere. Më parë kanë nënshkruar me shijakasit emra si Dashamir Xhika, Gëzim Krasniqi, Klevis Hasanbelli, Ardit Peposhi, Fernando Armando dos Santos, Adnard Mehmeti, Enbija Shehu, Progon Maloku, Drilon Kryeziu, Amir Kahrimanoviç, Elis Doksani, Abjel Bejzade, Ardit Iljazi dhe Alan Rodriges. Kujtojmë që Kadriu vjen pas eksperiencave në Maqedoni me klube si Shkupi, Rabotniçki, Struga dhe Renova.

Ai nuk është një emër i panjohur për kampionatin shqiptar, pasi më herët ka qenë pjesë e Teutës dhe Tiranës. Gjithashtu ai ka provuar të luajë edhe me Sabail në Azerbajxhan. Kadriu është sulmues krahu dhe mund të përshtatet qoftë në të djathtë dhe të majtë.

Ndërkohë, nuk mbaron këtu merkatoja e Erzenit, pasi dje i është bashkuar ekipit edhe qendërsulmuesi nga Senegali, Thierno Thiub. Bëhet fjalë për një 24-vjeçar me shtatlartësi 1.95 metra.

Në sezonin e fundit ai ka qenë pjesë e klubit serb, Novi Pazar, duke u aktivizuar në vetëm katër ndeshje. Gjithashtu Thiub ka qenë në Rusi edhe me skuadrën e dytë të Spartakut të Moskës.

Mbetet për t’u parë nëse senegalezi do të firmosë për shijakasit. Të shtunën në orën 17:00 klubi ka parashikuar një miqësore me Laçin në stadiumin “Tofik Jashari”, teksa trajneri Kapllani do të ketë një ide më të qartë për të gjithë lojtarët.