Vllaznia dhe Partizani janë dy ndër skuadrat që kanë shkruar një pjesë të artë të futbollit shqiptar. Shkodranët dhe kryeqytetasit numërojnë me dhjetëra trofe mes tyre dhe një histori të mbushur me lavdi. Po ashtu lojtarët që kanë veshur fanellën e të dy skuadrave janë të shumtë. Që nga periudha e para viteve 90, kanë qenë të shumtë shkodranët që kanë mbajtur veshur fanellën e kuqe.

Duke filluar nga Loro Boriçi, Sabah Bizi, Ramazan Rragami, Ferid Rragami, Lutfi Basha e shumë të tjerë. Për të vijuar me emra si: Grima, Zmijani në fillimin e viteve 2000. Por në edicionet e fundit kanë qenë të shumtë futbollistët që kanë veshur bluzat e të dy skuadrave. Xhevahir Sukaj është një nga ata që mahniti me gola me Vllazninë në fillim e pastaj me Partizanin.

Erald Çinari dhe Rubin Hebaj pasi u afrimuan tek Vllaznia, kaluan tek Partizani ku edhe fituan titullin kampion. Edhe emra si: Renato Malota apo edhe Alsid Tafili kanë luajtur me të dy skuadrat në edicionet e fundit. Herald Marku dhe Dajan Shehu pasi shkëlqyen tek Vllaznia para dy sezonesh, në edicionin e fundit ishin pjesë e të kuqve. Për tu rikthyer të dy tek Vllaznia në këtë merkato verore.

Edhe Esin Hakaj ka qenë në sezonet e fundit pjesë e të dy ekipeve, duke u konfirmuar si mbrojtësi i majtë më i mirë i Superligës. I fundit në rradhë tashmë është Esat Mala. Edhe prizrenasi do përpiqet që të bëjë sa më mirë me kuqeblutë, pasi tek Partizani u bë një nga lojtarët më të spikatur të Superligës sonë të futbollit.
Endri ÇINARI