Mesfushori me ti pare sulmuese i Vllaznisë, Esat Mala, po kalon një formë shumë të mirë dhe është kthyer këtë sezon në një nga pikat më të forta të kuqebluve. Lojtari nga Kosova ka qenë protagonist në takimet e fundit.

Vetë Mala, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, vlerëson edhe situatën shumë të mirë që po kalon skuadra, duke kërkuar që lojtarët të shikojnë përpara, por të mos kalojnë në eufori. Pas tri ndeshjeve shumë të mira në kampionat e Kupë, Vllaznia kërkon që të vijojë serinë e rezultateve pozitive edhe në takimin e së mërkurës ndaj Bylisit, kësaj here i vlefshëm për javën e 18-të të Superiores.


Një fillim i mbarë i vitit, 3 ndeshje duke përfshirë edhe Kupën, 3 fitore, çfarë ndryshoi te skuadra?

Është një fillim shumë i mirë i skuadrës për këtë vit. Mendoj që e vazhduam aty ku e lamë me fitoren e përmbylljes së vitit kundër Teutës dhe e kishim si pikë referimi atë ndeshje. Shpresoj të vazhdojmë në këtë mënyrë edhe në vazhdim.


Mendoni se pas këtyre takimeve Vllaznia ka hedhur tej luhatjet në lojë dhe rezultate.

Besoj që ndeshje pas ndeshjeje loja e skuadrës ka ardhur gjithmonë në rritje dhe çdo ditë në stërvitje po punojmë fort që ta mbajmë këtë ritëm.


Tri pikë larg Tiranës e dy nga Partizani, do të jenë këta rivalët tuaj për titullin?

Kampionati deri në këtë pikë ka treguar se skuadrat nuk kanë shumë diferenca dhe normalisht ato që kemi para në renditje janë edhe rivalët tanë direkte.

Cilën nga këto dy ekipe shikoni më të frikshëm?

Frikë s’kemi asnjë. Mendoj që të dyja skuadrat kanë një grup shumë të mirë lojtarësh.


Nesër përballë Bylisit sërish, si e shikoni këtë përballje dhe a besoni se mund të përsërisni atë që bëtë në Ballsh për Kupë?

Na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe mobilizimi do të jetë maksimal, pasi e dimë që Bylisi është një skuadër që lufton shumë dhe do të kërkojë maksimumin. Shpresoj dhe besoj që edhe kësaj here fitorja të jetë jona.


Në këtë transfertë delikate, barazimi mund të quhet pozitiv?

Ne punojmë shumë çdo ditë në stërvitje dhe në çdo ndeshje futemi për të marrë maksimumin. Shpresojmë të kemi dhe fatin me vete dhe ta fitojmë këtë sfidë.


Atmosfera në skuadër duket shumë mirë tani, sa ka ndikuar ardhja e Bekim Balajt?

Atmosfera është shumë pozitive, çdo gjë shkon shumë mirë. Bekimin të gjithë e njohin dhe normalisht edhe cilësitë e tij dihen. Është një profesionist dhe një njeri shumë pozitiv. Një vlerë e shtuar për skuadrën.

Mos ndoshta kjo mund t’u kalojë eufori…?

Gjendja është shumë e mirë sepse vijmë pas rezultateve pozitive, por duhet që të jemi me këmbë në tokë dhe nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë nga kundërshtarët. Këtu duhet që të bëjmë më shumë kujdes.


Në aspektin personal mund të thuhet se jeni tanimë në gjendjen tuaj optimale apo ka ende Mala për të dhënë?

Sa i përket aspektit personal mendoj që po kaloj një moment të mirë falë mbështetjes së skuadrës dhe tifozëve. Por si gjithmonë një lojtar profesionist është gjithmonë kërkues nga vetja dhe mendoj që kam akoma më shumë për të dhënë për Vllazninë.