Momente të mira për mesfushorin e Vllaznisë, Esat Mala. Të mërkurën “Dardani” debutoi me fanellën e Kombëtares në ndeshjen miqësore ndaj Arabisë Saudite e përfunduar me shifrat 1-1.
Të shtunën ai shënoi golin e parë me fanellën e Vllaznisë në Kategorinë Superiore. Por për fat te kaq, festa e këtij goli i ka mbetur në mes, sepse shijakasit kanë arritur të barazojnë me një 11-metërsh në minutën e 100-të të ndeshjes, e cila përfundoi në shifrat e barabarta, 2-2.Në një intervistë për “Panorama Sport” Mala flet për ndeshjen e fundit, por jo vetëm.

Mala, një gol të cilin s’e festoni si duhet pasi nuk korrët fitore…

Vërtet ky ishte goli im i parë me Vllazninë dhe dëshiroja që ai të shoqërohej edhe me tri piket e fitores, por nuk ndodhi kështu. Futbolli kështu është dhe nuk kemi se çfarë t’i bëjmë, por vetëm të shohim përpara. Shpresoj që në ndeshjet e tjera të kemi përqendrimin maksimal deri në fund dhe t’u gëzohemi rezultateve pozitive.

Presim gola të tjerë nga ju?

Ajo që unë dëshiroj është të shënoj sa më shumë, të vazhdoj me këtë ritëm dhe të mos ndalem më.

Vini pas grumbullimit tuaj të parë me Kombëtaren. Jeni i lumtur që keni veshur fanellën e Kombëtares shqiptare?

Normalisht që gjithsecili nga ne dëshiron që të veshë fanellën e Kombëtares sonë. Është një motiv më shumë kur kthehesh nga Kombëtarja dhe ecën mirë me ekipin tënd. Besoj që të vazhdoj kështu me lojë dhe gola, të ndihmoj sa më shumë ekipin.


Po shfaqni shumë luhatje. Çfarë po ndodh me Vllazninë?

Nuk di çfarë të them. Çunat po punojnë shumë mirë, po japim maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje, por nganjëherë edhe fati nuk është në anën tonë. Gjithsesi, shpresojmë që të kemi stabilitet dhe të kthehemi te fitorja.

Probleme fizike apo psikologjike te Vllaznia në minutat e fundit?

Ky nuk është një problem fizik, por më shumë psikologjik. Mund të them edhe përqendrimi. Edhe fati ka të bëjë shumë në ato minuta të fundit.

Javën e ardhshme luani në Kukës. Si e prisni?

Padyshim që pres një ndeshje shumë të luftuar. Kur luan jashtë shtëpisë dhe për më tepër në një fushë si Kukësi, do të jetë shumë e luftuar, por shpresojmë që të marrim pikët e lëna këtu.

Mendoni se do të jetë Vllaznia deri në fund rivale për titullin?

Po, besoj se Vllaznia do të rivalizojë. Do të ngrihemi dhe do të marrim pikët që kemi lënë, pasi kemi një grup shumë të mirë me shumë potencial dhe për më tepër një grup me shumë shoqëri dhe atmosferë brenda. Mendoj se do të kërkojmë dhe do të rivalizojmë deri në fund.