Ka përfunduar me rezultatin 2-1 finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Laçit. “Air Albania” pushtohet nga festa kuqeblu pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit. Janë dashur 120 minuta lojë për të përcaktuar fituesin e këtij trofeu, i cili në fund përfundon në duart e Vllaznisë.
Laçi kaloi i pari në avantazh, teksa në minutën e 4-t, Guindo shtang Zogoviçin me golin e tij. Megjithatë kuqeblutë nuk u dorëzuan për asnjë moment dhe kërkuan me ngulm golin, i cili erdhi në minutën e 17. Latifi u tregua i jashtëzakonshëm në krahë, nga ku dhuroi një asist perfekt për Hoxhajn. Ndërkohë goli i fitores do të vinte në minutën e 94-t, kur Adili shënoi një gol të çmendur nga distanca.
Një sukses i madh ky për Vllaznië, që me këtë fitore siguron edhe një biletë për në Kupat e Europës, objektiv të cilin nuk e mbërriti dot përmes kampionatit. Pas përfundimit të finales, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.
“Duhet të jemi të kënaqur. Viti i dytë radhazi që merret Kupa nga Vllaznia. Është historike. Nuk ka ndodhur më parë. Marrja e Kupës ishte shpëtimi i sezonit. Skuadra është më e qetë. Kam firmosur tre objektiva, fitorja e Kupës, kampionat, ose kapja e Europës.
Nuk duhet të jemi pushim. Ardhja e Josës është diçka fantastike. Të konkurojmë denjësisht në Kupat e Europës. Kur jemi ulur me profesorin na ka ngjitur.
Kur parapëlqej dikë unë preferoj të punoj gjatë. Brdaricin e mbajtëm gati dy sezone. I njëjti projekt është edhe me profesorin. Vllaznia ka bërë disa gabime. Në momente të caktuara ka munguar edhe goli. Por është bërë gabim edhe në selektim. Ndërrimi i tre trajnerëve brenda një sezoni nuk ka qenë një gjë e mirë. Kjo ka ndikuar te Vllaznia”.