Teuta ka hyrë në përgatitjet e fundit për ndeshjen e së premtes përballë Kukësit. Takim që ka vlera dhe rëndësi të jashtëzakonshme për bregdetarët, të cilët kërkojnë të kthehen te fitorja e munguar. Një nga lojtarët më premtues dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Esin Hakaj, në një intervistë për “Panorama Sport” tregon se skuadra ka dëshirën, besimin dhe do hyjë në ndeshjen përballë verilindorëve vetëm për tri pikët, pasi çdo rezultat tjetër është hap fals.

Esin, skuadra vjen pas katër barazimeve radhazi. Çfarë nuk po shkon?

Është një ecuri, nga e cila u munduam të gjithë të dalim dhe të rikthehemi te fitorja. Shpresoj dhe mendoj se me rikthimin e plotë të skuadrës do ia arrijmë të ndryshojmë kurs. Ndoshta dhe fatin nuk e kemi pasur me vete, por gjithsesi duam dhe po punojmë shumë çdo ditë për të shkuar te fitorja nga ndeshja e radhës.

Këtë javë luhet përballë Kukësit. A është kundërshtari i duhur për t’u rikthyer te fitorja, duke ditur që në dy fazat e para keni marrë vetëm një pikë?

Nuk ka kundërshtarë të duhur mendoj, por ne e kemi vlerësuar si çdo ndeshje tjetër edhe këtë takim. Është një skuadër e fortë, e cila ka ndryshuar dhe përforcuar në këtë merkato, por kjo gjë nuk na pengon që të hyjmë në fushën e lojës me dëshirën dhe përqendrimin e vetëm, të marrim tri pikët.

Përballë Tiranës nuk ishte dita jote më e mirë, ndërsa me Kamzën ishe një ndër lojtarët më të mirë. Mos ndoshta kjo luhatje shoqërohet me ecurinë e ekipit?

Është e vërtetë që përballë Tiranës nuk ishte një performancë e mirë nga ana ime dhe patjetër duhej të bëja kthesën. Normalisht që me Kamzën u mundova në maksimum të rikthehem ashtu siç unë di të jem dhe mendoj se ia arrita. Këtë javë kam punuar shumë për të rritur akoma më shumë performancën ndaj Kukësit dhe për të ndihmuar sa më shumë shokët e ekipit.

Reparti ku ti operon ka ndryshuar në këtë gjysmë të dytë të sezoni…

E vërtet ka ndryshuar ky repart dhe të them drejtën jam përshtatur mirë dhe kuptohem shumë, sidomos me Arapin që e kam më afër. Si Renato apo dhe Erlisi janë afrime me eksperiencë, që do jenë një ndihmë e madhe për ekipin në mbrojtje dhe të gjithë së bashku jemi të fokusuar për t’u rikthyer te fitorja skuadrën.

Çfarë duhet të ndryshojë skuadra për të marrë tri pikët me Kukësin?

Mendoj se duhet të kemi pak fat që të shkojmë te tri pikët. Jemi të gjithë të përqendruar, të karikuar dhe do hyjmë në atë takim me dëshirën vetëm për ta fituar. Edhe në ndeshjet e tjera mendoj se vetëm fati na ka munguar, pasi të gjithë kemi dhënë maksimumin, kemi krijuar raste apo dominuar.

Një rezultat tjetër, përveç fitores, do ishte hap fals?

Mendoj se po. Do të ishte hap fals, por nuk e shohim fare nga ky këndvështrim. Kemi besim se do t’ia dalim me sukses të premten.

Tani skuadra luan vetëm për zonën “Euro”, titulli është shumë larg apo jo?

Objektivi ynë nga starti i edicionit ka qenë Europa. Jemi në rrugën e duhur, jemi pikërisht aty, brenda objektivit, por nëse do të arrijmë të ngushtojmë diferencat, gjithmonë synojmë për më lart.