Vllaznia i dha fund bojkotit, e megjithatë zgjidhja ende nuk ka ardhur. Janë premtuar rrogat, por skepticizmi në radhët e lojtarëve ekziston. Kjo kuptohet edhe prej fjalëve të Renato Malotës, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” bën një apel për Këshillin Bashkiak.

Ai shpreson që të mbahet fjala e dhënë për këtë çështje serioze, ndërsa saktëson se me këto para ata mbajnë familjet. Mbrojtësi u ndal edhe te rikthimi në stërvitje dhe pritshmëritë që kanë për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Prioritet mbetet largimi nga zona e rrezikut, por jashtë vëmendjes nuk do të mbetet as Kupa e Shqipërisë.

Ngërçi financiar po shkon drejt zgjidhjes, a ndiheni më të çliruar?

Situata tanimë dihet. Kam besim se fjala që na është dhënë, do të mbahet nga të gjitha palët. Uroj të kthehet normaliteti, pasi është muaji i katërt pa rroga dhe dihet që ne i mbajmë familjet me këto  para. Është në dorën e Këshillit Bashkiak dhe askujt tjetër që t’i jepet drejtim kësaj pune.

Palët kanë shprehur gatishmërinë, ndaj po presin që të zgjidhet kjo situatë, e cila është shumë serioze. Drejtuesit e klubit po bëjnë të pamundurën për ta zgjidhur këtë situatë, por e thashë edhe më lart, nuk është në dorën e tyre kjo gjë. Tani le të besojmë që të gjitha palët të gjejnë dakordësinë.

Si e pritet rikthimin në stërvitje?

E pritëm me padurim këtë moment, pasi kishim më shumë se dy muaj pa stërvitje dhe pa prekur topin me këmbë. Sinqerisht na kishte munguar shumë. E për më tepër e ndiem më shumë, pasi e ndërpremë për arsyet që tashmë i dinë të gjithë.

Sa ju ka ndihmuar përgatitja individualisht?

Kam bërë vrapime pothuajse çdo ditë. Kam bërë ushtrime dhe normalisht që më ka ndihmuar, por stërvitja në kolektiv dhe me top është gjë krejt ndryshe dhe na duhet pak kohë që ta marrim veten.

Më pak se dy javë minifazë janë të mjaftueshme për të kapur formën?

Mendoj se ditët që u ndërpre stërvitja, nuk kanë ndonjë peshë në planin e përgjithshëm. Ne po bëjmë maksimumin për t’i rikuperuar ato. Këto ditë nuk janë kurrsesi të mjaftueshme, pasi janë mbi dy muaj jashtë fushave dhe është e vështirë që të kemi kondicionin e duhur për të përballuar 90 minuta me dy javë stërvitje. Pastaj dhe vapa do të bëjë të veten. Uroj vetëm të mos kemi dëmtime, sepse për ne futbollistët është një situate delikate.

Sa shanse ka Vllaznia që të shkëputet nga vendi ku ndodhet aktualisht?

I kemi mundësinë që të largohemi nga ai pozicion, por më parë duhet të japim maksimumin këto ditë që kanë mbetur deri në rifillimin e kampionatit për të kapur një kondicion të kënaqshëm fizik. Të gjitha ndeshjet do të jenë të forta dhe vendimtare për ne.

Kupa mbetet një objektiv real për Vllazninë?

Kupa është një objektiv real. Me kualitetet që ka ekipi, kemi të drejtën për të konkurruar me të gjitha ekipet dhe pa frikë. E megjithatë, jemi të vetëdijshëm që lufta për trofe do të jetë e egër. Duke parë që Tirana është e shkëputur në kampionat, Vllaznia do të synojë që të marrë trofeun e Kupës së Shqipërisë.