Vllaznia nuk besoi shume tek ai, Partizani e largoi si të panevojshëm, por Esin Hakaj përmbylli një sezon fantastik me Teutën, duke qenë një nga talentet më premtues të Kategorisë Superiore.

Shkodrani dha një kontribut të çmuar që Teuta t’ia dalë të mbijetojë në Superiore, ndërsa meritoi edhe ftesën nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi.

Hakaj është nën kontratë me Teutën, por ditët e fundit drejtuesit e klubit durrsak dhe përfaqësuesi i lojtarit kanë qenë në bisedime me Luganon.

Siç ben te ditur “Supersport”, emisarë të klubit zviceran, pasi kanë vëzhguar ish lojtarin e Partizanit, kanë dhënë “ok” e tyre për nisjen e bisedimeve.

Vetë futbollisti është plotësisht gati për një aventurë të re në ligën helvete, teksa edhe klubi i Teutës kërkon të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga shitja e kartonit të 21-vjeçarit shkodran.

Lugano ka një përvojë pozitive me futbollistët shqiptar, duke qenë se tek skuadra bardhezi u aktivizua për dy vite edhe Armando Sadiku.

Për momentin palët po bisedojnë dhe nuk është arritur marrëveshja, por ekziston vullneti për ta mbyllur me sukses.

Nëse gjithçka konkretizohet me fund të lumtur, atëherë do të ishte një hap mjaft i rëndësishëm përpara, në karrierën e Esin Hakajt.