Partizani u përball në verën e kaluar me disa largime të rëndësishme. Lojtarë, të cilët lanë boshllëqe të mëdha, që klubit iu desh t’i mbyllte në një kohë relativisht të shkurtër. Erdhën disa lojtarë të lirë, pra të pakontraktuar me ndonjë klub, por u veprua edhe me huazime.

Kështu, Esat Mala, pasi u shit në Turqi, u rikthye sërish me formulën e huazimit deri në qershor të këtij viti. Albion Marku gjithashtu erdhi me formulën e huazimit nga skuadra e Lokomotivës së Zagrebit dhe pas fundit të sezonit do të duhet të kthehet menjëherë në klubin, që ka në pronësi kartonin e tij deri në verën e vitit të ardhshëm. Një tjetër titullar i padiskutueshëm, që do të largohet në fund të sezonit është Sherif Kallaku.

Mesfushori, ashtu si Marku, është i huazuar te të kuqtë nga kroatët e Lokomotivës deri në qershor të këtij viti. E thënë troç, Partizanit i largohen menjëherë tre titullarë pas ndeshjes së fundit të këtij sezoni dhe drejtuesve u lind një detyrë shumë e vështirë në rast se skuadra arrin të kualifikohet në Ligën e Konferencës dhe ka në plan të kalojë ture në kualifikueset e këtij kompeticioni.

Tre titullarë që mbajnë peshë të konsiderueshme të lojës së ekipit, do të largohen dhe të gjesh të tjerë po aq të mirë e t’i ambientosh në një kohë të shkurtër, është thuajse e pamundur. Sigurisht, ekziston mundësia që ndonjë prej tyre të luajë me Partizanin në sezonin e ardhshëm, por fillimisht do të kthehen në klubin e tyre dhe më pas negociatat do të duhet të nisin nga e para, çka kërkon sërish kohë.

Pra, Partizanin me shumë mundësi e pret një revolucion në verë duke parashikuar edhe largimin e ndonjë lojtari, që ka bërë mirë në këtë sezon dhe mund të ketë një ofertë nga klube më të pasur në liga jashtë Shqipërisë. Mes këtyre, Rrapaj dhe Cara kanë bërë mirë dhe klubi ka shansin t’i shesë dhe të përfitojë të ardhura prej tyre. Gjithashtu, kontrata e Zhuniorit përfundon në fund të sezonit dhe deri tani nuk ka sinjale rinovimi.