Shkruar nga Gjergj KOLA
Mbrëmja e 23 gushtit të këtij viti do të mbetet gjatë në memorien e futbollistit 18 vjeçar shkodran Gabriel Kulla. Në javën e parë të kampionatit italian të futbollit- Seria A, ai është grumbulluar për herë të parë me ekipin e të rriturve të Sassuolos, por jo vetëm kaq.
Që në këtë thirrje të parë, ka patur vend edhe për pak minuta dhe rrjedhimisht ky shënon edhe debutimin e tij në kampionatin italian të futbollit. Jo keq padyshim, madje kjo mund të konsiderohet arritje e madhe për këtë 18 vjeçar.
Ka qenë minuta e 88-të e ndeshjes që Sassuolo po luante në transfertë ndaj Atalantës dhe rezultati ishte mbërthyer në shifrat 2-1 në favor të kësaj të fundit. Pikërisht në këto momente trajneri Aquilani vendosi të hedhë në fushë Kullën duke e zëvendësuar me Kieron Bowie.
Në ato pak minuta që luajti, sulmuesi që e ka filluar futbollin në Shkodër me Akademinë “Djelmnia Shkodrane” dhe me trajner të parë Fatmir Markun, u përpoq të linte gjurmë por e pati të vështirë dhe i gjithë takimi u mbyll me fitoren 2-1 të Atalantës.
Gjithsesi ky është vetëm debutimi i Gabriel Kullës në futbollin italian dhe me siguri që në të ardhmen do të shohim shumë gjëra të bukura prej tij sepse e ka talentin dhe cilësitë e duhura.


