Volejbollistja shkodrane Amela Qershia hedh një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e saj. Mbrëmjen e djeshme mësohet se ka firmosur një kontratë me ekipin amerikan MSU Denver Voleyball.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi amerikan përmes faqes së tij dhe duket se i ka kushtuar jo pak vëmendje. “Ne kemi nënshkruar me Amela Qershia e cila vjen tek MSU Denver nga Shkodra, Shqipëria.

Ajo ka ndihmuar ekipin e qytetit të saj, Vllaznia, të fitojë 4 tituj kampionë me U19 dhe luan për ekipin kombëtar shqiptar. Mirësevjen tek Denver Amela!”- shkruhet në faqen e këtij klubi.

Padyshim që ky është një lajm i mirë për volejbollisten 19 vjeçare e cila ka qenë një ndër pikat më të forta të Vllaznisë. Drejtuesit e kësaj të fundit ndërkohë po shikonin në merkato për mundësinë e fuqizimit me ndonjë lojtare tjetër cilësore, por tashmë në kërkesat e tyre duhet të shtojnë edhe gjetjen e një pasueseje sepse mbetet bosh vendi i Qershisë.

Kjo e fundit do të nisë brenda pak ditësh një aventurë të re dhe me të dhënat që ka, me siguri që do të jetë një element shumë i fortë edhe për ekipin e saj të ri tashmë.
© shkodrasport.com