Lajmi që ka pushtuar gjithë hapësirën e medias sportive sot ka qenë ai se Sebastian Giovinco mund të bashkohet me ekipin e Kukësit. Sulmuesi i njohur italian, i dalë nga akademia e Juventusit, ku edhe është aktivizuar me bardhezinjtë prej disa kohësh është pa ekip. Ai ka shkëputur marrëdhëniet me skuadrën arabe të Al Hilal.

Sot është trumpetuar se ai mund të jetë afrimi i bujshëm i Kukësit. Kjo duke parë edhe marrëdhëniet e mira që ai ka me trajnerin Longo të verilindorëve, me të cilin ka bashkëpunuar në Arabinë Saudite. Patjetër që nëse Giovinco do zbarkonte në Superligë, ai do ishte lojtari më i madh i ardhur i të gjitha kohërave në kampionatin tonë.

Por nëse kjo nuk është një fantazi merkatoje, atëherë është një çmenduri. Kjo për shkak se 34-vjeçari ka një rrogë faraonike. Në dy sezonet e fundit ku ka qenë pjesë e klubit arab ai është paguar me shifrën e 11.5 milionë dollarëve në sezon. Po ashtu në periudhën parardhëse ku “buburreca atomike” luante për Toronton, ai ka pasur pagën 10 milionë dollarë në sezon.

Pra duket një “çmenduri” që një lojtar i një kalibri të tillë dhe me pagesa të tilla të bëjet pjesë e kampionatit tonë. Megjithatë merkato ka treguar gjithmonë se ka të papritura dhe kurrë nuk mund të thuash kurrë.
Endri ÇINARI